Tech Top Tech - News

SpaceX kapi anijen që kthehej nga hapësira, raketa që ulet në duar!

Në çdo episod të “Top Tech” me Mateo Kadriun zbulojmë të rejat më të fundit nga bota e madhe e teknologjisë. Me informacione dhe gjithçka të detajuar rreth risive dhe mundësive që po na ofrohen çdo ditë sidomos nga Inteligjenca Artificiale me avancimin e projekteve nga më të ndryshme.

Një anije më e lartë se një pallat 15 katesh u kthye nga hapësira dhe u kap në ajër. Me krahë metalikë.

Të Premten e kaluar, SpaceX nisi fluturimin e 15-të të Starship nga Teksasi. Plani ishte i çmendur: dy kapje në dy ditë. Pjesa e poshtme, booster-i, të kthehej për disa minuta dhe ta kapte kulla e nisjes. Pjesa e sipërme, anija, të rrotullohej rreth Tokës dhe të kthehej të nesërmen.

Gjysma e parë nuk shkoi. Booster-i e anuloi kapjen në momentin e fundit dhe ajo përfundoi në det, në Gjirin e Meksikës.

Por anija vazhdoi. Rreth 22 orë e gjysmë në hapësirë, 14 rrotullime rreth Tokës dhe 26 satelitë Starlink të lëshuar. Pasditen e të Shtunës, hyri në atmosferë si top zjarri, u ngrit vertikalisht dhe kulla e kapi me dy krahët gjigantë, që SpaceX i quan “chopsticks”, shkopinjtë e ngrënies. Ose siç i thotë interneti: Mechazilla.

Është hera e parë në histori që kapet pjesa e sipërme e një rakete që kthehet nga orbita.

Pse ka rëndësi? Sepse deri tani raketat ishin si gotat plastike: i përdor një herë dhe i hedh. Ideja e Starship është të bëhet si avioni: ulet, mbushet me karburant, niset prapë. Kjo e ul akoma më shumë çmimin e çdo udhëtimi në hapësirë.

Dhe nuk bëhet fjalë vetëm për satelitë. NASA e do Starship për të çuar astronautët në Hënë në 2028. Elon Musk e do për Marsin.

Hapi tjetër, dhe më i vështiri: mbushja me karburant në orbitë. Pa këtë, Hëna mbetet ëndërr.

Sot për sot, ja ku jemi: dikush kap raketa në ajër. Unë akoma s’e kap dot telefonin kur më bie nga xhepi.

JavaScript is required for tabnav widget to work properly.