Ish-kreu i policisë italiane gjendet i vdekur në banesën e tij, Gianni De Gennaro po hetohej për masakrën ku mbeti i vrarë gjyqtari Borselino


Ish-kreu i policisë italiane, Gianni De Gennaro, 78 vjeç është gjetur i vdekur në banesën e tij të fshatit në Toskanë. Sipas informacioneve paraprake, ai dyshohet se i ka dhënë fund jetës duke u vrarë me armë zjarri.
Ngjarja vjen në një moment kur De Gennaro ishte nën hetim nga Prokuroria e Kaltanisetës për dyshime mbi pengimin e drejtësisë, në kuadër të hetimeve për masakrën ku u vra edhe gjyqtari Paolo Borsellino.
Më 1 dhjetor, Gjykata e Rishikimit pritej të shqyrtonte kërkesën për arrestimin e tij, e cila ishte rrëzuar fillimisht nga gjyqtari i hetimeve paraprake.
Si u zbulua ngjarja
Sipas informacioneve paraprake, De Gennaro ndodhej i vetëm në banesë. Alarmimi u bë nga familjarët, të cilët ishin shqetësuar pasi nuk kishin marrë asnjë lajm prej tij që nga mbrëmja e së premtes, më 20 nëntor.
Rreth orës 09:00, punonjësit e shërbimit njoftuan karabinierët. Ndërsa në orën 09:38, vetë efektivët telefonuan shërbimin e urgjencës 118 për të raportuar vdekjen e tij.
Sipas burimeve shëndetësore, kur mbërritën autoritetet, De Gennaro kishte ndërruar jetë. Në banesë shkoi mjeku ligjor, ndërsa në vendngjarje mbërriti edhe prokurori i çështjes.
Prokuroria hap hetim për nxitje të vetëvrasjes
Prokuroria e Grossetos ka hapur një dosje hetimore për veprën penale të nxitjes së vetëvrasjes, ndërsa autoritetet po rindërtojnë dinamikën e plotë të ngjarjes.
De Gennaro ishte vënë nën hetim nga Prokuroria e Kaltanisetës për dyshime për devijim të hetimeve lidhur me masakrën, ku mbeti i vrarë gjyqtari Paolo Borsellino dhe pjesëtarët e eskortës së tij.
Hetimi lidhet gjithashtu me zhdukjen e të ashtuquajturës “agjenda e kuqe” të Borsellinos, dokument që konsiderohet me rëndësi në zbardhjen e rrethanave të atentatit.
Ditët e fundit, autoritetet italiane i kishin dorëzuar De Gennaros një njoftim zyrtar për hetimin dhe kishin urdhëruar kontrolle në disa ambiente që ndodheshin në dispozicion të tij.
360grade.al



















