Dokumentari “Heal” (Shërimi), udhëtimi i Kate Middleton që rrëfen përballjen me sëmundjen dhe shpresën përmes një filmi me mesazh të fortë njerëzor
Princesha e Wales-it, Kate Middleton, rrëfen përvojën e saj personale pas diagnostikimit me kancer në dokumentarin “Heal”, një projekt që i kushtohet sëmundjes, forcës për ta përballuar atë dhe shpresës për të rifituar ekuilibrin pas përfundimit të trajtimeve.
Dokumentari, i njoftuar nga Pallati Kensington, do të transmetohet për herë të parë në BBC në Mbretërinë e Bashkuar më 29 nëntor. Më pas, ai do të shfaqet edhe në Shtetet e Bashkuara, Australi dhe Kanada.
“Kanceri të ndryshon. Të ndryshon fizikisht. Por ka dhe më shumë. Diagnostikimi me kancer të ndryshon edhe brenda. Kur shqetësimi prevalon e buzëqeshja venitet pyet veten: Pse duhet të eci para. Shërimi është një udhëtim. Është si të gjesh shpresë dhe gëzim aty ku është pasiguria. E sigurtë është se nuk jemi bërë të përballojmë sfidat e jetës vetëm’ thotë Kate Middleton.
Në këtë dokumentar, Kate ndërmerr një udhëtim në disa prej peizazheve më mbresëlënëse të Britanisë së Madhe, duke sfiduar veten në garën National Three Peaks Challenge. Sfida konsiston në ngjitjen e tri majave më të larta të Skocisë, Anglisë dhe Ëales-it brenda 24 orëve, në mbështetje të organizatës bamirëse Royal Marsden Cancer Charity.
Përmes takimeve dhe bisedave me njerëz që po përballen ose kanë kaluar përvojën e sëmundjes, Princesha reflekton mbi ndikimin e kancerit dhe rëndësinë e mbështetjes, marrëdhënieve njerëzore dhe një qasjeje ndaj trajtimit që merr parasysh jo vetëm shëndetin fizik, por edhe mirëqenien psikologjike dhe emocionale.
Projekti synon të ndërgjegjësojë publikun për rëndësinë e kujdesit gjithëpërfshirës ndaj pacientëve me kancer, duke përcjellë një mesazh solidariteti dhe shprese për të gjithë ata që përballen me diagnozën, trajtimin dhe jetën pas sëmundjes.
Të gjitha të ardhurat e mbledhura nga shpërndarja e dokumentarit do t'i dhurohen organizatës Royal Marsden Cancer Charity.
© SYRI.net