Protesta e kësaj të shtune kundër qeverisë ka përfunduar në Sheshin Skënderbej, pas disa orësh tubim dhe marshimi në rrugët e kryeqytetit.
Protesta nisi pranë Ministrisë së Arsimit, ku pati edhe momente tensioni. Më pas, protestuesit u drejtuan drejt godinës së Kryeministrisë, ku qëndruan për disa minuta duke bërë thirrje për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Pas tubimit para Kryeministrisë, pjesëmarrësit vijuan marshimin në rrugët e Tiranës, për t’u rikthyer më vonë sërish përpara godinës së qeverisë. Në vijim, protestuesit u drejtuan drejt Sheshit Skënderbej, ku edhe përfundoi tubimi i së shtunës.
Në përfundim të protestës, pjesëmarrësit paralajmëruan një tjetër tubim më 28 Nëntor, të cilin e kanë cilësuar si protestë kombëtare, ku pritet të marrin pjesë edhe shqiptarë nga diaspora. Data 28 Nëntor është paralajmëruar si një tjetër moment mobilizimi kundër qeverisë.
Disa prej protestuesve kanë shkruar në muret e godinës së Kryeministrisë mbishkrimin “28 Nëntor, dorëheqje”.













