Arrestohet shqiptari në Francë, po transportonte mbi 100 kg kokainë me kamion
Një 50-vjeçar shqiptar është arrestuar në Francë, pasi autoritetet zbuluan 114.6 kilogramë kokainë në kamionin që ai drejtonte.
Sekuestrimi u krye gjatë natës mes 18 dhe 19 nëntorit, në pikën e pagesës së autostradës në Arles, ku shërbimet doganore ndaluan automjetin për kontroll.
Kamioni, i pajisur me targa italiane, transportonte mallra për llogari të një rrjeti të madh tregtar, kryesisht produkte ushqimore. Por gjatë verifikimit, doganierët zbuluan një ngarkesë të paligjshme të fshehur në një pjesë të automjetit.
Kokaina ishte vendosur në mbajtësen e bobinave, një mekanizëm që shërben për stabilizimin e ngarkesës. Pas kontrollit të plotë, autoritetet konfirmuan se bëhej fjalë për 114.6 kilogramë lëndë narkotike.
Menjëherë pas zbulimit, drejtuesi shqiptar u arrestua dhe iu dorëzua Zyrës Kundër Trafikut të Narkotikëve (OFAST), pranë policisë gjyqësore në Marsejë. Ai është lënë në paraburgim në pritje të procedurave gjyqësore.
Gjatë marrjes në pyetje, 50-vjeçari ka mohuar të ketë lidhje me trafikun e drogës. Ai ka pretenduar se nuk kishte dijeni për kokainën e fshehur në kamion dhe se ajo ishte vendosur aty pa miratimin e tij.
Sipas informacioneve të publikuara nga mediat franceze, shqiptari nuk rezulton të ketë precedentë penalë dhe nuk ka qenë më parë i njohur për drejtësinë franceze.
Ai pritet të dalë më 24 nëntor përpara Gjykatës së Tarasconit, ku do t’i nënshtrohet procedurës së gjykimit të menjëhershëm.
Ndaj tij janë ngritur akuza për mbajtje, transport dhe importim të lëndëve narkotike, si dhe për transport të mallrave të ndaluara në shkelje të legjislacionit doganor francez. Hetimet vijojnë për të zbuluar origjinën e kokainës dhe personat që qëndrojnë pas organizimit të transportit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



