Vizita katërditore e Jakup Krasniqit pranë familjes së tij në lagjen Velania të Prishtinës u shoqërua me masa të shtuara sigurie.
Në afërsi të banesës së tij u vunë re një autokolonë veturash policore dhe efektivë të armatosur me armë të gjata.
Të lidhura
None found
Megjithatë, numri i madh i forcave të rendit dhe mënyra e përcjelljes së tij u kritikuan nga Xhavit Jashari, kryetar i Shoqatës së Familjarëve të Dëshmorëve.
Jashari e cilësoi këtë veprim si spektakël të panevojshëm dhe ngriti pikëpyetje për rolin e institucioneve të Kosovës dhe Policisë së saj.
“Gjithë ky spektakël me gjithë ato forca është i papranueshëm për ne dhe shtrohet pyetja: A kemi shtet? Ku janë institucionet tona? Ku është policia jonë? Me gjithë këto forca të ruhet e të përcillet një personalitet si Jakup Krasniqi është tepër e rëndë, është fyese për kategoritë e luftës, është fyerje e rëndë emocionale dhe për familjen e Jakup Krasniqit”, deklaroi Xhavit Jashari.
Ndërkaq, njohësi i protokollit, Tomor Avdia, vlerëson se përcjellja e kësaj vizite duhej të realizohej nga Policia e Kosovës.
Sipas tij, misioni i EULEX-it nuk disponon kompetenca ekzekutive.
“Protokollet duhet të jenë të rregulluara në bazë të vendit dhe aty ku realizohen. Në këtë rast, misioni i EULEX-it në vendin tonë nuk ka të drejta ekzekutive, të cilat i ka humbur që nga viti 2018. Pra, është vetëm mision këshillëdhënës […] Në këtë rast, shteti ynë duhet t’i marrë përsipër të gjitha aktet protokollare”, vlerësoi Avdia.
Edhe avokati Ardian Bajraktari ka kritikuar praninë e shtuar policore gjatë vizitave të Krasniqit, duke e vlerësuar atë si joproporcionale dhe të panevojshme.
Bajraktari foli edhe për ndalimin e takimit të policisë së EULEX-it me vëllain e Jakup Krasniqit, duke theksuar se masat e ndërmarra nuk ishin në përputhje me nivelin e rrezikut.
“Ajo çka e ka karakterizuar këtë vizitë, por edhe vizitat e tjera paraprake, qoftë të z. Krasniqit, por edhe të tjerëve, ka qenë prezenca e shtuar e forcave policore, të cilat kanë qenë joproporcionale dhe të panevojshme, duke shpërfaqur një mendësi të natyrës paragjykuese, sepse rreziku në rastin e Krasniqit nuk ka qenë i tillë për të pasur një numër kaq të madh të forcave”, theksoi Bajraktari.
Përndryshe, Jakup Krasniqi është dënuar me 25 vjet burgim nga Gjykata Speciale në Hagë.







