Kreu i PD-së Sali Berisha ka zyrtarizuar sot organizimin e një strukture të quajtur “Lëvizja Studentore”, në emër të protestës së flamingove dhe studentëve, një marifet dhe atavizëm për t’u eksperimetuar në zgjedhjet lokale, në funksion të zgjedhjeve parlamentare të 2029. Lëvizja Studentore u shpall përmes një deklarate të përgatitur në selinë e PD-së nga Alfred Lela. “Lëvizja studentore kombëtare është vijimësi e natyrshme e revoltës qytetare…”, theksohet në deklaratë duke përfshirë flamingot dhe studentët, pra në emrin e tyre.
Jo vetëm kaq. Por, gjatë leximit të ‘manifestit’ politik para Universitetit të Politeknikut, në krah të ‘studentëve’ u shfaq Aleksandër Biberaj, anëtar i Këshillit Kombëtar i Partisë Demokratike. Biberaj edhe mund të mos shfaqej, por prania e tij ishte e mirëmenduar për të dhënë mesazhin se lëvizja është derivat i PD-së. Gjatë leximit të deklaratës ishte i pranishëm edhe përfaqësuesi tjetër i PD-së, Sandër Kovaçi, ish zytar i SHIK-ut të Berishës. Kovaçi ishte në cilësinë e kreut të Sindikatës së Pedagogëve.
‘Lëvizja e Studentëve’ me të infiltruar nga PD-ja është ideuar nga Berisha dhe rrethi i tij që kur nisën protestat e dhunshme, kur PD-ja u përfshi hapur me përfaqësuesit e saj, me grupin e moltovit, grupin e avokatëve për të mbrojtur të vandalët e arrestuar, furnizimin me molotov, strehimin e dhunuesve në seli etj., pavarësisht refuzimeve nga grupe të protestës, thirrjeve ‘Rama n’burg, Berisha n’burg’, Parti Demokratike, si u shite gjithë këto vite!” dhe “Opozitë e shitur”, deri në shtyrje dhe përplasje fizike siç ishte hedhja në Lanë e deputetit të PD-së, Klevis Balliu.
Në kushtet e rezistencës dhe refuzimit nga ana e një grupi të madh protestuesish (jo të gjithë), refuzim të cilin Berisha ia faturoi linjës së Arlind Qorit, kreu i PD-së nisi tratativat për krijimin e Lëvizjes Studentore, në emrin e protestës post Flamingo dhe studentëve. Lëvizja e Studentëve nga PD-ja u zyrtarizua ditën kur Edi Rama nisi në sallën kryesore të Pallatit të Brigadave dialogun me studentët një muaj pas ftesës së tij herë me karrige e herë me sofër betoni para zyrës së tij.
Lëvizja Studentore e PD-së është sinjalizuar nga anëtari i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Aleksandër Biberaj prej tre javësh. “Studentët po e bluajnë këtë ide. Studentët po e mendojnë, do ta ngjiznin si ide dhe kur ta kenë gatuar do të kenë mbështetjen tonë. Kjo është një lëvizje mbi palët politike dhe ka një mbështetje të jashtëzakonshme”, është shprehur Biberaj. Për këtë shërbim, Berisha pritet ta përfshijë Biberaj në listën e sigurtë të Tiranës në zgjedhjet e 2029.
Të dashur studentë, bashkëqytetarë, atdhetarë dhe atdhetare, Prej 31 majit 2026, qytetarë, aktivistë, profesionistë dhe përfaqësues komunitetesh, nga Shqipëria dhe diaspora, protestojnë për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore, të pronës publike e private, për përgjegjësi institucionale dhe ndryshimin e sistemit politik postkomunist.
Ne, studentët, kemi qenë e pjesë e protestave që prej ditës së parë. Njohim dhe vlerësojmë kontributin e jashtëzakonshëm të të gjithë pjesëmarrësve, për demokracinë shqiptare. Me pjesëmarrjen masive të gjimnazistëve dhe studentëve, nga 13 tetori 2026, protesta hyri në një fazë të re, më dinamike dhe kërkuese, duke u përshkallëzuar pas dhunës policore ndaj të rinjve dhe qytetarëve që protestonin paqësisht. Kërkojmë hetim të pavarur, të paanshëm dhe transparent të çdo pretendimi për përdorim joproporcional të forcës, si dhe respektimin e plotë të të drejtës për protestë paqësore.
Lëvizja studentore kombëtare është vijimësi e natyrshme e revoltës qytetare, jo zëvendësim i saj. Si dy krahë të të njëjtit trup, synojmë të përforcojmë njëri-tjetrin në mbrojtje të interesave të kombit shqiptar, duke i shtuar protestës zërin dhe propozimet që burojnë nga shqetësimet tona si studentë. Ky organizim ka lindur nga studentët dhe është i tërësisht i pavarur.
Mesazhi ynë është i përbashkët me atë të protestës qytetare: Rinia shqiptare nuk duhet të zgjedhë më ndërmjet së ardhmes së saj dhe atdheut. Ajo duhet të ketë mundësinë dhe mbështetjen për të jetuar me dinjitet, për t’u arsimuar, punuar, ndërtuar një jetë të suksesshme dhe krijuar familje në Shqipëri, duke garantuar vazhdimësinë e kombit shqiptar në trojet e veta. Arsimi cilësor, punësimi dhe barazia e mundësive, pa diskriminim, varen drejtpërdrejt nga mënyra e qeverisjes dhe llogaridhënia institucionale. Pikërisht për këtë arsye, në vijim, do të paraqesim për diskutim publik propozimet tona.
Angazhimi ynë në këtë debat buron nga e drejta dhe përgjegjësia për të ndikuar në rregullat që përcaktojnë të ardhmen e brezit tonë, pa zëvendësuar kërkesat e tjera të protestës qytetare. Këto propozime nuk pretendojnë të jenë zgjidhje përfundimtare, por pjesë e një reflektimi më të gjerë juridik dhe politik, që studentët po zhvillojnë në bashkëpunim me qytetarë, intelektualë, profesionistë dhe pedagogë.
Ky angazhim shoqëron protestat tona dhe do të shërbejë si një instrument i rëndësishëm për orientimin e mëtejshëm të lëvizjes studentore dhe qytetare. Reforma e vërtetë nuk matet vetëm nga ndryshimi i emrave në pushtet, por nga cilësia e rregullave që e kufizojnë atë, mbrojnë votën dhe garantojnë llogaridhënien.
Ne synojmë, një organizim studentor të pavarur, demokratik dhe të qëndrueshëm, në bashkëpunim me qytetarët dhe të gjithë aktorët e interesuar, pa cenuar kontributin e askujt. Pas bisedimeve me studentë, do të ndërmarrim nisma dhe projekte konkrete për realizimin e kërkesave tona, në bashkërendim me aspiratat e protestuesve në të gjithë Shqipërinë.
Mbrojmë debatin e hapur, pluralizmin, protestën paqësore dhe të drejtën për të protestuar. Studentë, thirrja jonë e parë drejtohet për ju. Ky organizim, nuk ka kryetar, e as ne nuk jemi të tillë. Ne nuk duam të flasim sot në emrin tuaj, por t’ju ftojmë si shokët tanë, të na bashkoheni.
Duam të dëgjojmë zërat tuaj, mendimet dhe problematikat që keni hasur, shpresat dhe aspiratat për të ardhmen, jo vetëm tuajën, por të gjithë Shqipërisë. Ne duam të kultivojmë kulturën e demokracisë, që ka munguar në Shqipëri deri më sot. Lëvizja Studentore Kombëtare po ngrihet sepse ne nuk duam të largohemi nga atdheu ynë.
Duam të ndërtojmë një të ardhme këtu, dhe duam të kemi një rol aktiv në ndërtimin e një Shqipërie më të drejtë, ku të rinjtë nuk kanë pse të ikin. E ardhmja demokratike kërkon pjesëmarrje të informuar, institucione funksionale dhe llogaridhënie të detyrueshme. Të fillojmë punën pa humbur kohë, së bashku!