Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, zhvilloi një takim me përfaqësues të organizatës joqeveritare GERMIN, ku u diskutua për kontributin e diasporës dhe mundësitë për angazhim më të madh të bashkatdhetarëve në proceset publike dhe institucionale të vendit.
Në këtë takim morën pjesë anëtarët e Bordit të GERMIN-it, Anila Hyka, Avni Mustafaj dhe Yll Zagragja, si dhe bashkëdrejtorët ekzekutivë, Lirim Krasniqi dhe Sihana Bejtullahu.
Të lidhura
None found
Biseda u përqendrua te përpjekjet e vazhdueshme për të forcuar bashkëveprimin me mërgatën, si dhe te rrugët konkrete për përfshirjen e saj më të gjerë në jetën publike, institucionale dhe shoqërore të Republikës së Kosovës.
Ndër çështjet e trajtuara ishte edhe domosdoshmëria e mësimit dhe ruajtjes së gjuhës shqipe në diasporë, si dhe përkrahja e nismave që kanë për qëllim bartjen e gjuhës, kulturës dhe identitetit shqiptar te gjeneratat e reja.
Sipas njoftimit, vëmendje e posaçme iu dha Programit OriginAL, edicionit të pestë të konferencës Diaspora Flet, si dhe nismës Shtëpia e Diasporës.






