Dimri e sprovon sërish sigurinë energjetike të Kosovës

Furnizimi me energji elektrike në Kosovë aktualisht është stabil, ndërsa pjesa dërrmuese e kërkesës për konsumatorët me tarifa të rregulluara po mbulohet nga prodhimi vendor. Megjithatë, siguria e furnizimit gjatë sezonit të dimrit do të varet kryesisht nga performanca e termocentraleve të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) dhe kushtet meteorologjike që ndikojnë në prodhimin nga burimet e ripërtëritshme.
Drejtori i Departamentit të Tregut të Energjisë, Skender Muqolli, për KosovaPress thotë se aktualisht gjeneratorët janë duke prodhuar sipas planifikimit të përcaktuar në bilancin vjetor të energjisë, ndërsa edhe performanca e burimeve të ripërtëritshme është e mirë.
Muqolli bën të ditur se edhe prodhimi nga burimet e ripërtëritshme është në nivel të mirë, duke theksuar se mesatarisht gjatë 24 orëve të fundit janë prodhuar rreth 165 megavat nga këto burime.
“Aktualisht KEK dhe të gjithë gjeneratorët janë duke prodhuar sipas planifikimit në bilancin vjetor të energjisë të aprovuar nga bordi i zyrës së rregullatorit për energji. Që do të thotë shumica, pjesa dërrmuese e kërkesës sidomos për konsumatorët me tarifa të rregulluara është duke u mbuluar nga prodhimi vendor dhe gjendja në sistem paraqitet si stabile...Duhet theksuar gjithashtu që performanca e gjeneratorëve nga burimet e ripërtëritshme gjithashtu është e mirë, pasi që mesatarisht për 24 orët e sotme kemi rreth 165 megavat orë prodhim vetëm nga burimet e ripërtëritshme”, deklaron Muqolli.
Duke folur për përgatitjet për sezonin e dimrit, ai ka thekson se përveç performancës së termocentraleve, rol të rëndësishëm në sigurinë e furnizimit do të kenë edhe kushtet atmosferike, të cilat ndikojnë në prodhimin e energjisë nga burimet e ripërtëritshme.
Në këtë drejtim, Muqolli tregon se janë rritur edhe kapacitetet interkonektive me vendet fqinje për rreth 350 megavat. Sipas tij, kapacitetet e interkoneksionit me Shqipërinë janë rritur për 150 megavat, ndërsa me Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut për nga 100 megavat.
“Sa i përket periudhës së dimrit, siguria e furnizimit është e ndikuar kryesisht nga performanca e gjeneratorëve të termocentraleve të korporatës energjetike të Kosovës, si dhe performanca dhe kushtet meteorologjike që kanë ndikim direkt tek burimet e ripërtëritshme.... Duhet përmendur faktin gjithashtu që KOSTT në bashkëpunim me operatorët e sistemit të vendeve fqinje ka rritur që të rrisë kapacitetet interkonektive rreth 350 megavat...ku me Shqipërinë është rritur kapaciteti për 150 megavat”, nënvizon Muqolli.
Ndërkaq, Kuvendi i Kosovës ka miratuar vendimin e Qeverisë për shpalljen e masave emergjente në furnizimin me energji elektrike, të cilat do të vlejnë për një periudhë prej 60 ditësh. Vendimi, i miratuar fillimisht nga Qeveria më 16 nëntor, mori mbështetjen e 61 deputetëve në seancën e mbajtur pas mesnatës së 20 nëntorit.
Masat parashohin shfrytëzimin e kapaciteteve prodhuese të Hidrocentralit të Ujmanit, veçanërisht gjatë orëve të pikut të konsumit, krijimin e një Komiteti Teknik Emergjent dhe kursimin e energjisë elektrike nga institucionet publike. Qëllimi i tyre është zvogëlimi i rreziqeve për furnizimin e qëndrueshëm me energji të qytetarëve dhe ekonomisë./KosovaPress


































