Anija ruse goditet me dron në afërsi të Finlandës, dyshohet se u sulmua nga Ukraina
Një anije mallrash ruse, e cila ishte nisur drejt enklavës së Kaliningradit, është goditur nga një sulm me dron në pjesën lindore të Gjirit të Finlandës, raporton BBC.
Bëhet fjalë për anijen Sparta II, e cila pas goditjes mëngjesin e së shtunës ka marrë flakë dhe më pas ka përfunduar duke lëvizur drejt ujërave territoriale të Finlandës.
Autoritetet finlandeze të mbrojtjes kanë deklaruar se Ukraina dyshohet të jetë përgjegjëse për sulmin, ndërsa Kievi ende nuk ka reaguar zyrtarisht lidhur me ngjarjen.
Kryeministri finlandez, Petteri Orpo, reagoi duke paralajmëruar se lufta po shtrihet gjithnjë e më pranë territorit të vendit të tij.
“Lufta po përhapet në afërsinë tonë të drejtpërdrejtë. Ukraina ka të drejtë të kundërpërgjigjet ndaj agresorit”, deklaroi Orpo.
Ndërkohë, guvernatori i Kaliningradit, Alexei Besprozvannykh, bëri të ditur se, sipas informacioneve paraprake, në sulm janë përdorur dy dronë. Ai shtoi se nuk ka asnjë kërcënim për furnizimin e territorit.
Anija Sparta II ishte vendosur në listën e sanksioneve të Shteteve të Bashkuara në vitin 2022 dhe të Ukrainës në fillim të këtij viti.
Sipas autoriteteve amerikane dhe ukrainase, anija operohet nga një kompani ruse, e cila në faqen e saj zyrtare deklaron se është krijuar në vitin 2011 në strukturat e Ministrisë së Mbrojtjes së Rusisë. Që prej vitit 2015, kompania operon në kuadër të kompleksit të ndërtimit ushtarak.




