Rrjetet sociale shumë shpejt mund të mos jenë më të aksesueshme nga fëmijët dhe adoleshentët në Shqipëri. Kjo, nëse qeveria do të vendosë të çojë përpara nismën e propozuar nga kreu i qeverisë.
Masa që synohet të merret rikthen edhe njëherë debatin mbi ndikimin e rrjeteve sociale tek të miturit.
Sipas ekspertëve të fushës, këto platforma sjellin pasoja në zhvillimin emocional të fëmijëve dhe adoleshentëve.
“Ata janë pjesë e botës së teknologjisë dhe krahasojnë veten me modele që gjejnë në rrjetet sociale. Janë adoleshentë që shoqërohen me ndjenjë ankthi, depresioni dhe vetëvlerësim të ulët. Kemi format e bullizmit shumë të dukshme në rrjetet sociale. Kemi një kërcënim tjetër, që është bullizmi kibernetik, i cili është i lidhur me ngacmimet seksuale që vijnë nga këto rrjete.”
Por, përtej ndikimit social e psikologjik, një nga vështirësitë më të mëdha mbetet zbatimi praktik i kësaj mase. Sa mund të arrihet kufizimi i plotë i aksesit për të miturit deri në moshën 16 apo 18 vjeç për të përdorur platformat online?
“Ka shumë sfida të mëdha. Në vendet ku është bërë kjo, janë vendosur disa hapa shtesë për hapjen e llogarisë apo përmbajtjes. Kufizimi i moshës e bën të domosdoshme një ID identifikuese të moshës, ne nuk e kemi aktualisht në Shqipëri. Ka filtra monitorues, sidomos me IA, është shumë lehtë e identifikueshme. Sfida është nëse është duke u implementuar kufizimi apo jo, a ka filtra të duhur. Po flasim me një brez që është rritur me teknologjinë. Ka një shpejtësi të madhe të marrjes së informacionit dhe ne po e ndalojmë marrjen.”
Megjithatë, për specialistët e IT-së, nisma është e vonuar.
“Ne si komunitet IT kemi bërë thirrje që të ketë kufizime për sa i përket rrjeteve sociale për fëmijët. Në shumë vende të tjera mori formë të prerë. Ekspozimi ndaj krimit, vrasjeve, pornografisë, në momente të frikshme pa kontroll, e bën të domosdoshme një nismë të tillë.”
Australia ishte vendi i parë në botë që bllokoi rrjetet sociale për fëmijët nën 16 vjeç. Po ashtu, Malajzia, Indonezia, Kina dhe Brazili e kanë aplikuar këtë masë.
Në Greqi, masa për të miturit nën 15 vjeç nis nga 1 janari 2027, ndërsa vende të tjera europiane si Spanja, Danimarka, Norvegjia, Britania dhe Austria kanë njoftuar planet për këtë masë, që synon të mbajë fëmijët larg rreziqeve të mjedisit digjital.