Fitimet e luhatshme të biznesit të madh të energjisë

Energjia, mbi 90% e së cilës vjen nga hidro, është një treg që vitet e fundit ka tërhequr investime të shumta private, që në pjesën më të madhe japin kthime të kënaqshme, ndonëse ky është një treg me luhatje të shumta.
Në vitet me reshje, prodhuesit shohin ditë të mira, ndërsa e “pësojnë” tregtuesit, që ndërmjetësojnë importin dhe anasjelltas.
Luhatjet më të mëdha janë për prodhuesit e mëdhenj, si shtetërorë, ashtu dhe privatë.
2025-a ishte një vit me rënie të prodhimit të energjisë, që automatikisht ka ndikuar në rritjen e importeve.
Në vitin 2025, sipas INSTAT-it, energjia elektrike në dispozicion u rrit me 2.1%. Prodhimi neto vendas i energjisë elektrike arriti vlerën 7.468 GWh, duke shënuar rënie të prodhimit me 4.7%.
Importi bruto i energjisë elektrike (energji në marrje) arriti vlerën 3.375 GWh, me rritje prej 26,5%.
Rënia e prodhimit vendas ka ndikuar negativisht në ecurinë e kompanisë shtetërore prodhuese të energjisë, ndërsa rritja e importeve ka dhënë efekt pozitiv për tregtuesit.

Burimi: INSTAT
Sipas INSTAT-it, hidrocentralet publike, në vitin 2025, prodhuan 3.374 GWh, nga 4.085 GWh në vitin 2024, duke shënuar rënie të prodhimit prej 17,4%. Prodhuesit privatë dhe koncesionarë prodhuan 3.109 GWh, nga 3.245 GWh një vit më parë, duke shënuar rënie prej 4,2%.
Nga tre operatorët shtetërorë të energjisë, shpërndarësi i “OSHEE Group”, prodhuesi KESH dhe transmetuesi OST, vetëm KESH vijoi të kishte rezultat financiar negativ në vitin 2025.
“OSHEE Group” raportoi të ardhura prej 73 miliardë lekësh, ndërsa fitimet ranë lehtë në 7.1 miliardë lekë, duke u renditur ndër 10 më të mëdhenjtë në vend për fitimet.
“Operatori i Sistemit të Transmetimit” (OST) është një tjetër kompani shtetërore e energjisë në listën e fitimeve. Të ardhurat ishin të qëndrueshme në 10.3 miliardë lekë dhe fitimet ranë me 25%, në 1.7 miliardë lekë.
Elisian Bici, Administrator në detyrë i OST, ka pohuar në një intervistë për “Monitor” se “bilanci i shoqërisë për vitin 2025 rezultoi pozitiv, me fitim neto rreth 1.4 miliardë lekë. Të ardhurat totale nga veprimtaria e shfrytëzimit arritën në 10.3 miliardë lekë, ku rreth 64% u siguruan nga transmetimi i energjisë elektrike.
Shpenzimet totale nga veprimtaria e shfrytëzimit ishin 8.7 miliardë lekë, ku rreth 44% lidhen me kostot e transmetimit. Bazuar në rezultatet e deritanishme dhe vlerësimet e përditësuara për pjesën e mbetur të vitit, edhe 2026 pritet të mbyllet me rezultat financiar pozitiv”.
Ai shton se plani i ri 10-vjeçar do të përcaktojë prioritetet dhe kapitalin e nevojshëm për këtë transformim, me financim nga burimet e OST-së, institucionet financiare ndërkombëtare dhe grantet europiane.
Synimi, sipas tij, është që infrastruktura e transmetimit të mbështesë jo vetëm zgjerimin e prodhimit vendas, por edhe një rol më aktiv të Shqipërisë në tregun rajonal dhe europian të energjisë.
Në qendër të strategjisë janë zgjerimi i rrjetit 400 kV, fuqizimi i korridoreve në Jug dhe Juglindje dhe forcimi i interkoneksioneve me vendet fqinje.
Paralelisht, OST po orienton investime drejt modernizimit të sistemeve të kontrollit, balancimit dhe sigurisë kibernetike, ndërsa magazinimi me bateri shihet si një element gjithnjë e më i rëndësishëm për fleksibilitetin e sistemit.
“Korporata Elektroenergjetike Shqiptare” (Sh.a. KESH) kishte të ardhura prej 28.2 miliardë lekësh në vitin 2025, pothuajse në nivelet e një viti më parë. Prodhuesi shtetëror i energjisë ka thelluar humbjet në 13.7 miliardë lekë, nga 380 milionë lekë humbje në vitin 2024, i ndikuar nga situata e thatë energjetike, që e detyruan atë të blejë energji nga importi.
Sipas të dhënave zyrtare, Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH) shpenzoi 272 milionë euro në 2025-n për të përmbushur detyrimin e shërbimit publik, një mandat i përcaktuar me vendim qeverie tre vite më parë, në kulmin e krizës energjetike.
Që nga janari i vitit 2022, KESH-i është ngarkuar me detyrimin e shërbimit publik për të siguruar të gjithë sasinë e energjisë së nevojshme për furnizimin e konsumatorëve universalë.
Më parë, korporata kishte kryesisht rolin e prodhuesit dhe i shiste Furnizuesit të Shërbimit Universal (FSHU) energjinë që arrinte të prodhonte. Me ndryshimin e përgjegjësive, KESH-i duhet të sigurojë edhe energjinë që mungon, përmes blerjeve në treg, pavarësisht çmimeve të saj.
Ky detyrim e ekspozon drejtpërdrejt KESH-in ndaj rrezikut të kushteve hidrike dhe luhatjeve të çmimeve në bursat ndërkombëtare. Kur reshjet janë të pakta dhe prodhimi nga hidrocentralet bie, korporata detyrohet të importojë energji me çmime tregu, ndërkohë që energjinë për furnizimin universal ia shet FSHU-së me çmim të rregulluar.
Diferenca ndërmjet kostos së blerjes dhe çmimit të shitjes rëndon financat e kompanisë dhe kufizon mundësitë për investime.
Modeli i tregut të energjisë
Miratimi i ligjit “Për sektorin e energjisë elektrike”, në vitin 2015, shënoi fillimin e një modeli të ri të organizimit të tregut të energjisë në Shqipëri. Reforma parashikoi ndarjen funksionale të OSHEE-së, krijimin e Bursës Shqiptare të Energjisë (ALPEX) dhe përcaktimin e roleve të prodhuesve, furnizuesve dhe tregtarëve të energjisë elektrike.
Në kuadër të detyrimeve ndaj Komunitetit të Energjisë dhe përafrimit me legjislacionin europian, Shqipëria nisi kalimin drejt një tregu të liberalizuar, të mbështetur në ndarjen e aktiviteteve të prodhimit, transmetimit, shpërndarjes dhe furnizimit me energji elektrike.
Ky model përcaktoi edhe mënyrën e pjesëmarrjes së kompanive publike dhe private në treg. Blerja dhe shitja e energjisë zhvillohet sipas rregullave të tregut dhe përmes subjekteve të licencuara, përfshirë tregtarët e energjisë. Megjithatë, ndarja e aktiviteteve nuk nënkupton se KESH-it i ndalohet në çdo rast blerja e drejtpërdrejtë e energjisë në bursë.
Tregtarët janë subjekte që blejnë dhe shesin energji në tregun me shumicë, realizojnë transaksione importi dhe eksporti dhe bashkëpunojnë me prodhuesit, furnizuesit dhe kompanitë publike që kanë detyrime të shërbimit publik.
Liberalizimi dhe ndryshimi i modelit të tregut krijuan hapësirë për hyrjen e një numri në rritje të operatorëve privatë në aktivitetin e tregtimit të energjisë elektrike, duke e shndërruar këtë segment në një veprimtari të veçantë tregtare.
Tregtuesit e energjisë rrisin fitimet
Vitet e fundit, tregtimi i energjisë ka joshur bizneset, pasi nëse ke njohuritë e duhura dhe kapital mund të rritesh shumë shpejt, teksa numri i punonjësve që kërkohen është minimal (shoqëritë kanë maksimumi 4 apo 5 punonjës) dhe kthimi nga investimi është i shpejtë dhe i lartë.
Liberalizimi i tregut të energjisë ka krijuar një segment të rëndësishëm të tregtimit të energjisë, ku kompanitë private sigurojnë të ardhura nga aktiviteti i shitblerjes, ndërsa KESH-i mban detyrimin e shërbimit publik për të garantuar energjinë e nevojshme për furnizimin e konsumatorëve universalë.
Në vitet me prurje të pakta hidrike, kur prodhimi vendas nuk mjafton, KESH-i detyrohet të blejë më shumë energji me çmime tregu, ndërkohë që energjinë për furnizimin universal e shet me çmim të rregulluar. Kjo diferencë mund të rëndojë ndjeshëm kostot dhe rezultatet financiare të korporatës, ndërsa rritja e importeve zgjeron mundësitë e aktivitetit për tregtarët privatë.
Në vitin 2025, rreth 40% e energjisë në dispozicion ishte nga importi, e ndikuar nga viti jo i mirë hidrik, nga 32.7% një vit më parë dhe vetëm 24.4% në vitin 2023.
KESH-i bleu rreth 1.81 milionë MWh energji në tregun e lirë në 2025-n, me çmim mesatar prej 127.55 euro/MWh, duke e çuar faturën totale, përfshirë TVSH-në, në mbi 270 milionë euro, mbi dy herë më të lartë nga viti 2024, kur shuma ishte 100 milionë euro dhe viti 2023, me 70 milionë euro, sipas të dhënave nga Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH). 2025-a ishte viti me blerjet më të larta që nga viti 2022, me mbi 500 milionë euro që u shpenzuan atë vit.
Rritja e importit ka favorizuar treguesit e energjisë, pjesa më e madhe e të cilëve ka parë përmirësim të fitimeve në vitin 2025. Në listën e “Monitor 200” për fitimet ka katër shoqëri nga ky segment, nga tre vitin e mëparshëm.
“NOA Energy Trade” renditet për të tretin vit radhazi si më i madhi në këtë segment për të ardhurat. Në vitin 2025, kompania raportoi qarkullim vjetor prej 27 miliardë lekësh, me zgjerim 3.2%, pas rritjes me 36.4% vitin e mëparshëm. Fitimet para taksave ishin 1.4 miliardë lekë.
“Ener Trade”, pjesë e grupit “Gjonaj”, ka ruajtur vendin e dytë për qarkullimin vjetor, ndërsa ka përmirësuar ndjeshëm fitimet. Të ardhurat ishin 19.5 miliardë lekë, me rritje të fortë prej 70% në raport me vitin 2024. Në të njëjtën linjë ishin dhe fitimet, që pothuajse u trefishuan në rreth 1.2 miliardë lekë.
“GEN-I Tirana” shënoi dyfishim të të ardhurave në 10.4 miliardë lekë në vitin 2025, duke kaluar në operatorin e tretë më të madh për qarkullimin vjetor. Megjithatë, fitimet e operatorit mbetën të ulëta në raport me operatorët e tjerë, në vetëm 24 milionë lekë.
“Prima Energy” është një hyrje e re në listën e shoqërive të tregtuesve të energjisë sipas fitimeve, me rezultat para taksave prej 429 milionë lekësh, me dyfishim nga viti i mëparshëm. Kompania, që e ka marrë licencën në vitin 2016 nga Enti Rregullator i Energjisë, nuk ka hyrë ende në listën e “Monitor 200” sipas të ardhurave, pasi realizoi një qarkullim vjetor prej 1.6 miliardë lekësh.
GSA raportoi rreth 9 miliardë lekë të ardhura në 2025-n, sipas të dhënave paraprake të Tatimeve, ndërsa nuk ka të dhëna për fitimin, pasi kompania nuk ka dorëzuar ende bilanc. Kompania nuk është pjesë e listës së Tatimeve për 250 subjektet me fitime më të larta në vend. Që prej vitit 2024, shoqëria ka ndarë aktivitetin e tregtimit të energjisë me atë të përpunimit të ferrokromit.
“Protergia Energy Albania” është një hyrje e re në listën e më të mëdhenjve për fitimet, po ashtu dhe të ardhurat në vitin 2025. Shoqëria, që ka marrë leje për tregtimin e energjisë nga ERE në vitin 2024, ka kapital 100% grek, në pronësi të PROTERGIA ENERGY S.A.. Të ardhurat për vitin e parë të aktivitetit, në vitin 2025, kërcyen në 4 miliardë lekë dhe fitimet në 372 milionë lekë.
“Ayen Energy Trading” kishte të ardhura rreth 4 miliardë lekë, sipas vlerësimeve të përafërta nga Tatimet, pasi kompania nuk e ka dorëzuar pasqyrën e të ardhurave dhe fitimeve në QKB dhe nuk është as në listën e Tatimeve të 250 shoqërive me më shumë fitime.

Burimi: INSTAT
HEC-et e vogla, norma fitimi të larta, por kthimi nga kapitali mbetet sfidues
Investimet e kryera në ndërtimin e hidrocentraleve private si të mëdha, apo të vogla, kanë norma fitimi të larta, që shpesh e kalojnë dhe 50%, por treguesi tjetër, ai i kthimit nga kapitali, nuk është shumë i qëndrueshëm për shkak të luhatjeve të motit, duke ushtruar presion sidomos për investimet që kanë kryer me financime bankare.
Historikisht, hidrocentralet e vogla janë renditur në listën e më fitimprurësve të “Monitor 200”.
Nga viti 2022 hynë në listë dhe HEC-et e mëdha si “Devolli Hydropower”, apo “Ashta”, pasi kanë mbaruar investimet dhe po kryejnë aktivitet të plotë, por aktiviteti i tyre është më i luhatshëm për shkak të normave të larta të amortizimit. Në kontrast, të vegjlit kanë aktivitet më të qëndrueshëm, duke u përshtatur më lehtësisht ndaj kapriçiove të motit.
Pavarësisht fitimeve të larta, sektori po bëhet gjithnjë e më sfidues. Rigela Gegprifti, Drejtore e Përgjithshme e “Statkraft” për Shqipërinë (aksioneri i “Devolli Hydropower”, operatorit më të madh privat në vend) pohon se luhatet e forta — nga thatësira e zgjatur në prurje ekstreme — tregojnë qartë se ndryshimet klimatike të reflektuara në kushtet hidrometeorologjike po bëhen faktorë gjithnjë e më të rëndësishëm për planifikimin, operimin dhe menaxhimin e aseteve hidroenergjetike.
Ajo shton se gjithsesi, “Shqipëria ka avantazhe të qarta për investimet në energji: burime të mira hidrike, diellore dhe të erës, pozicion strategjik rajonal, zhvillimin e ALPEX-it, perspektivën e integrimit europian dhe një nevojë në rritje për kapacitete të reja e fleksibël. Rritja e shpejtë e fotovoltaikëve dëshmon interesin e investitorëve.
Megjithatë, faza e ardhshme do të kërkojë më shumë se kapacitet të ri prodhues: duhen përforcim i rrjetit, përgatitje për hyrjen në tregun europian, si dhe zbatim i qëndrueshëm i rregullave europiane të tregut. Në vlerësimin tonë, potenciali është i lartë dhe ka mundësi zhvillimi të mëtejshme në energjitë e rinovueshme në vend”.
Viti 2025 nuk ishte më i miri nga ana hidrologjike. Prurjet në kaskadën e Drinit rezultuan rreth 21% nën mesataren shumëvjeçare, raporton ERE.
Sipas INSTAT-it, pesha e energjisë së prodhuar nga hidrocentralet private dhe koncesionare ra me gati tre pikë përqindje në raport me një vit më parë, duke zbritur në 41.2%, për shkak të shtimit më të shpejtë të prodhimit nga hidrocentralet publike dhe të rritjes së fotovoltaikëve.

Burimi: INSTAT
Sipas Entit Rregullator të Energjisë (ERE), kapaciteti total i instaluar i prodhimit të energjisë elektrike në vend arriti në 3,475 MW, duke shënuar një rritje prej 262 MW krahasuar me vitin paraardhës.
Gjatë vitit 2025 kanë hyrë në prodhim gjithsej 21 impiante, ku 13 prej tyre centrale fotovoltaike dhe 8 centrale hidrike, me kapacitet total të instaluar prej 262 MW. Kjo fuqi e instaluar është shtuar nga burime hidrike me 80,02 MW dhe nga burime fotovoltaike me 181,98 MW.
Kapaciteti total prodhues i energjisë elektrike i kompanisë publike KESH sh.a. është 1,563 MW dhe përbën rreth 45% të kapacitetit total të instaluar në vend. Kapaciteti total i instaluar i prodhuesve të tjerë të energjisë elektrike është 1,912 MW dhe përbën rreth 55% të kapacitetit total të instaluar.

Burimi: ERE
Prodhuesit më të mëdhenj të energjisë në vitin 2025 ishin KESH me rreth 3.4 milionë MWH (me rënie 23%), i ndjekur nga “Devolli Hydropower” me 440 mijë MWH (-1.7%), “Kurum International” (360 mijë MWH), “Ayen As Energji” (302 mijë MWH), “Energji Ashta” (208 mijë MWH).

Burimi: ERE
Hidrocentralet e vogla private me koncesion vazhdojnë të shfaqin norma të larta dhe të qëndrueshme fitimi. “Nga pikëpamja financiare, rentabiliteti i hidrocentraleve ndryshon nga një objekt në tjetrin. Një nga treguesit kryesorë është raporti ndërmjet prodhimit vjetor të energjisë dhe vlerës së investimit.
Ka hidrocentrale me tregues shumë të mirë ekonomikë, por edhe objekte ku fizibiliteti financiar nuk ka rezultuar i kënaqshëm. Për hidrocentralet me fizibilitet të mirë financiar, periudha e kthimit të investimit varion nga 9 deri në 10 vjet, kur financimi realizohet me kapitalin e vetë investitorit.
Në rastet kur investimi financohet përmes kredive bankare, periudha e kthimit zgjatet në 12-14 vjet, për shkak edhe të normave të larta të interesit të kredive”, thotë Dr. Ing. Mehmet Hasalami, që ka përvojë në këtë sektor.
Përveç operatorëve të vegjël, edhe kompanitë e mëdha që kanë hyrë në fazën e prodhimit po raportojnë fitime, duke përfituar nga kontratat e qëndrueshme dhe çmimet konkurruese në tregun rajonal të energjisë, ndonëse 2025-a ka shënuar luhatje të forta dhe nuk ishte aq i mbarë për të mëdhenjtë.
“Devoll Hydropower” (DHP) është prodhuesi privat më i madh i energjisë në vend nëpërmjet dy hidrocentraleve.
Në vitin 2025, të ardhurat e tij bruto ranë me 12%, në 9.6 miliardë lekë (6.3 miliardë lekë nga aktiviteti kryesor i shitjes së energjisë elektrike dhe rreth 3.3 miliardë lekë ishin fitime nga aktivitetet e tregut, neto, që përfaqësojnë të ardhurat nga aktivitetet e tregtisë së energjisë dhe aktivitetet fillestare të cilat janë materializuar në datën e marrëveshjes me klientin), sipas raportit vjetor.
Kompania thekson se në vitin 2025, të ardhurat bruto të DHP-së u ulën për shkak të prodhimit më të ulët të energjisë, si rezultat i kushteve të pafavorshme hidrologjike.
Prodhuesi i energjisë raportoi fitime para taksave prej 3 miliardë lekësh. Ky rezultat vjen pas humbjeve prej 16 miliardë lekësh në vitin 2024 dhe fitimeve prej 6 miliardë lekësh në vitin 2023.
Sipas të dhënave në bilanc, humbja në vitin 2024 erdhi nga zëri “Humbje nga zhvlerësimi i aktiveve afatgjata materiale” prej 19 miliardë eurosh. Nëse do të heqim këtë zë, kompania do të dilte me fitim 3 miliardë lekë para taksave, sa gjysma e një viti më parë.
Sipas raportit të aktivitetit, hidrologjia në ujëmbledhësin e lumit Devoll ka qenë shumë sfiduese në vitin 2025, me reduktim të konsiderueshëm të prurjeve ujore në rezervuarë, me 10 muajt e parë të vitit që arritën nivelet nga më të ulëtat të regjistruara ndonjëherë, krahasuar me historikun e prurjeve.
Ndërsa në dy muajt e fundit të vitit 2025, Shqipëria u përball me përmbytje, duke përfshirë basenin e lumit Seman. Kjo ka rezultuar në ulje të konsiderueshme të sasisë së prodhimit të energjisë elektrike. Megjithatë, menaxhimi aktiv i energjisë ka rezultuar në një ecuri të mirë të aseteve.
Prodhimi total i energjisë elektrike në vitin 2025 ishte 442 233 MWh, me rënie prej më shumë se 30% krahasuar me vitin e fundit me kushte relativisht normale hidrologjike, viti 2021, për shkak të kushteve të pafavorshme hidrologjike.
DHP operon dy hidrocentrale të mëdha (Banja dhe Moglica) me kapacitet total të instaluar prej afërsisht 269 MW dhe prodhon energji të rinovueshme, në harmoni me mjedisin. DHP është gjithashtu tregtues i energjisë në tregun lokal dhe rajonal të energjisë.
Kompania thekson në raportin vjetor se po vlerëson se si të zhvillojë më tej potencialin hidroenergjetik të lumit Devoll brenda të drejtave të Marrëveshjes së Koncesionit.
HEC-i i Banjës (kapacitet i instaluar i energjisë së rinovueshme 72 MW) filloi veprimtarinë tregtare në vitin 2016, ndërsa HEC-i i Moglicës (kapacitet i instaluar i energjisë së rinovueshme 197 MW) nisi veprimtaritë tregtare në tremujorin e dytë të vitit 2020. Viti 2022 ishte i pari i plotë me operime nga të dy HEC-et, Banja dhe Moglica.
Rigela Gegprifti, Drejtore e Përgjithshme e Statkraft për Shqipërinë, pohon se aktivitetet në Shqipëri janë fokusuar kryesisht në fushën e hidroenergjisë, me operimet e hidrocentraleve të Banjës dhe Moglicës, si dhe zhvillimin e hidrocentralit me sistemin e rezervës së pompuar RP Moglica Shtesë.
“Megjithatë, ‘Statkraft’ vazhdimisht vlerëson oportunitete në zhvillimin e projekteve të reja në fushën e energjive të rinovueshme dhe vazhdojmë të jemi të interesuar për zgjerim të mundshëm, nëse identifikojmë oportunitete që përshtaten me modelin tonë të operimit dhe që të mund të integrohen edhe me asetet tona ekzistuese.
Çdo investim i ri do të vlerësohet mbi bazën e përshtatshmërisë strategjike, kthimit të rregulluar për riskun, ndikimit mjedisor dhe kontributit në sistemin energjetik”.
“Kurum International” është prodhuesi i dytë më i madh privat i energjisë, pas Devollit, por të ardhurat e tij raportohen së bashku me aktivitetin e prodhimit të çelikut. Sipas ERE-s, në vitin 2025 prodhoi 360 mijë MWH, me tkurrje të lehtë prej 0.4%.
“Energjia Ashta”, prodhuesi i katërt privat më i madh në vend, me fuqi të instaluar 48.2 MW, kishte qarkullim vjetor prej 1.5 miliardë lekësh, me rënie 16%. Fitimet ishin 343 milionë lekë, me tkurrje 61.5% me bazë vjetore, duke shënuar tendencë rënëse për të tretin vit radhazi.
Gjatë vitit 2025, prodhimi total ishte 208 MWh, sipas raportit vjetor të Entit Rregullator të Energjisë, me tkurrje prej 14.6% me bazë vjetore.
Kapaciteti i kombinuar i të dy hidrocentraleve (Ashta 1 dhe Ashta 2) është 53 megavat (MW); 242 milionë kilovat/orë prodhohen në vit.
“Ayen as Energy” raportoi të ardhura 3.1 miliardë lekë, me rënie 10% në raport me vitin e mëparshëm. Fitimet ishin 1.2 miliardë lekë, me tkurrje prej 14% në raport me vitin 2024.
Kompania turke po zbaton kontratën e vitit 2011 për projektimin, ndërtimin, vënien në punë, administrimin, mirëmbajtjen e hidrocentraleve Gojan, Gjegjan, Peshqesh, Ura e Fanit dhe Fangut, me kapacitet të kombinuar prej 109.7 MW.
Sipas raportit të aktivitetit, në vitin 2025, “Ayen as Energy” prodhoi energji totale prej 301.7 MWH, nga 342 mijë MWh në vitin 2024, me tkurrje prej 12%.
Si rreziqe të aktivitetit, shoqëria përmend ndryshimet klimatike që ndikojnë në thatësira ose modele të paqëndrueshme të reshjeve; ndryshimet në politikat energjetike dhe rregullatore; luhatjet e çmimeve dhe ekspozimin ndaj palëve të treta në tregun e shitblerjes së energjisë.
“Euron Energy” dhe “Alb-Energy” shfrytëzojnë me koncesion dy HEC-e, HEC Bele 1, me fuqi 5 MW, dhe HEC Topojan 2, me fuqi 5,8 MW dhe janë pjesë e “Alb-Building”, një prej sipërmarrjeve më të mëdha të ndërtimit në vend. Të dyja kompanitë së bashku janë prodhuesi më i madh i energjisë me kapital privat shqiptar në vend.
Prodhimi në vitin 2025 ishte 127 mijë MWH, i vetmi që shënoi rritje prej 5.4% nga të gjithë operatorët privatë. “Alb-Energy” ka gjeneruar nga aktiviteti i saj 602 milionë lekë të ardhura, nga shitja e energjisë elektrike nga HEC Bele 1 dhe Topojan 2, në Kukës dhe fitime prej 478 milionë lekësh.
Norma e fitimit ishte 71% në vitin 2025. “Euron Energy” raportoi të ardhura prej 467 milionë lekësh dhe fitime 306 milionë lekë, me një normë prej 66%.
“Diteko”, që ka me koncesion HEC Gjoricë, me fuqi 4.18 MW, është prodhuesi i dytë më i madh me kapital shqiptar i energjisë në vend, me rreth 110 mijë MWH në vitin 2025. Kompania raportoi të ardhura prej 1.1 miliardë lekësh dhe fitime 544 milionë lekë, me normë gati 50%.
“Seka Hydropower”, që zotëron koncesionin e centralit hidrolektrik “Seke” dhe “Zais” raporti të ardhura prej 662 milionë lekësh dhe fitime 193 milionë lekë, me normë 35%.
“Egnatia Hydropower” është një HEC i ri që ka deklaruar aktivitet për herë të parë në vitin 2025 dhe ka hyrë direkt në listën e “Monitor 200” për fitimet. Të ardhurat ishin 414 milionë lekë dhe fitimi 313 milionë lekë, me një normë prej gati 76%.
Kompania ka si objekti aktiviteti planifikimin, ndërtimin, mirëmbajtjen dhe funksionimin e hidrocentraleve në lumin Gostime dhe është në pronësi të shoqërisë së ndërtimit “G.P.G. Company”.
“Kalisi Hydropower” është një hyrje e re nga hidrocentralet e vegjël në listën e fitimeve. Kompania deklaroi të ardhura 433 milionë lekë dhe fitime 307 milionë lekë, me normë 71%. Shoqëria operon koncesion për ndërtim dhe operim i Hidrocentralit Veleshicë.
“GJO-SPA Power”, që shfrytëzon me koncesion HEC Llapaj, me fuqi 13,62 MW, kishte të ardhura prej 407 milionë lekësh dhe fitime 241 milionë lekë, me normë fitimi 59%.
“Dragobia Energy”, në pronësi të “Gener 2”, që ka ndërtuar HEC-in mbi lumin Valbonë, raportoi 645 milionë lekë të ardhura në vitin 2025. Fitimet ishin 112 milionë lekë, me një normë 17%, duke mbetur për të dytin vit radhazi jashtë listës së më të mëdhenjve sipas fitimeve.
Biznesi i diellit nuk i ngrohu fitimet në vitin 2025
Gjatë viteve të fundit, energjia diellore ka tërhequr gjithnjë e më shumë interes dhe investime, duke dhënë tashmë rezultatet e para të dukshme. Për herë të parë në vitin 2024, ajo arriti të bëhet pjesë e rëndësishme e prodhimit kombëtar të energjisë elektrike, duke zënë 6,5% të totalit, sipas të dhënave të INSTAT.
Në vitin 2025, energjia nga burime të tjera, kryesisht fotovoltaike pothuajse u dyfishua në raport me vitin e mëparshëm, duke arritur në 13.2%. Vetëm energjia nga burimet fotovoltaike gjeneroi 11% të totalit të prodhimit vendas, sipas të dhënave të tjera nga Enti Rregullator i Energjisë.
Sipas ERE-s, “një zhvillim veçanërisht i rëndësishëm është rritja e prodhimit të energjisë nga burime të rinovueshme. Energjia nga burimet fotovoltaike tashmë përfaqëson rreth 18% të kapacitetit të instaluar në vend dhe gjatë vitit 2025 gjeneroi një prodhim prej 832.3 GWh.
Ky është një hap i rëndësishëm drejt një sistemi energjetik më të pastër dhe më të qëndrueshëm”. Për vitin 2025 përllogariten gjithsej 53 centrale fotovoltaike në prodhim, me një rritje progresive që prej vitit 2020, ku aktualisht 42 prej tyre zotërojnë kontrata për shitblerjen e energjisë elektrike me FTL sh.a.; 9 prej tyre operojnë në treg të lirë me çmim të parregulluar, si dhe shoqëria Karavasta Solar sh.p.k., e cila ia shet të gjithë sasinë e energjisë së prodhuar shoqërisë publike KESH sh.a., sipas të dhënave nga ERE.
Shumica e projekteve të realizuara janë impiante të vogla, me kapacitet deri në 2 MW, ndërsa më i madhi është ai i Karavastasë, i ndërtuar nga kompania “Voltalia”, e cila fitoi ankandin e qeverisë dhe nisi prodhimin në vitin 2024.
Përveç tij, disa projekte private të orientuara drejt tregut të lirë po zhvillohen në rajone të ndryshme të vendit, ndonëse një pjesë e madhe e nismave mbetet ende në proces miratimi institucional, pa nisur zbatimin në terren.
Ndryshe nga viti 2024, kur prodhuesit e energjisë nga dielli hynë në listën e “Monitor 200” për fitimet, në vitin 2025, dielli nuk i ka “ngrohur” kaq shumë.
Luhatjet e mëdha të fitimeve të kompanive fotovoltaike lidhen me ndryshimet e çmimeve të energjisë në treg, sidomos gjatë verës, kur prodhimi nga dielli është i lartë dhe oferta mund të tejkalojë kërkesën në orare të caktuara.
Rigela Gegprifti, Drejtore e Përgjithshme e “Statkraft” për Shqipërinë, shpjegon për “Monitor” se një nga problemet kryesore të tregut është mbiprodhimi në disa orare dhe mungesa e energjisë në orare të tjera, kur kërkesa është e lartë.
Sipas saj, shtimi i fotovoltaikëve ka ndikuar ndjeshëm në çmimet orare të energjisë, duke e bërë gjithnjë e më të rëndësishme kohën kur ajo shitet.
Teksa sot ka një numër të konsiderueshëm projektesh fotovoltaike në faza të ndryshme zhvillimi, Besnik Leskaj, Themelues dhe President i Grupit Blessed Investment, që është investitori më i madh privat me kapital vendas në energjinë e diellit, pohon se “energjia diellore do të mbetet një investim i leverdishëm edhe në të ardhmen, për aq kohë sa projektet zhvillohen mbi baza të shëndosha teknike dhe financiare, të mbështetura nga studime serioze fizibiliteti dhe një kuptim i qartë i dinamikave të tregut.
Jo të gjitha projektet që janë sot në letër do të arrijnë fazën e operimit, dhe kjo është një dukuri normale në çdo treg që po kalon nga faza e rritjes drejt konsolidimit”.
Ai shton se avantazhi afatgjatë nuk do të jetë vetëm te kapaciteti i instaluar, por tek aftësia për të menaxhuar riskun e çmimeve, disbalancat e prodhimit dhe integrimin me zgjidhje fleksibiliteti, si magazinimi i energjisë, grupet e balancimit apo kontratat afatmesme me konsumatorë industrialë.
Një tjetër problem i zgjerimit të shpejtë të sektorit lidhet me faktin që kapacitetet e transmetimit dhe të shpërndarjes kanë kufizimet e tyre aktuale. Z. Leskaj rekomandon se rritja e këtyre kapaciteteve nga ana e qeverisë dhe OST-së është thelbësore për të shmangur këtë hendek dhe për të akomoduar energjinë e prodhuar në sistemin e transmetimit.
“Në afat të gjatë, zgjerimi i kapaciteteve të transmetimit dhe përforcimi i rrjetit të shpërndarjes, së bashku me integrimin e plotë në tregjet rajonale dhe mekanizmat ndërkombëtarë të tregtimit të energjisë, do të përbëjnë faktorë kyç për zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit elektroenergjetik”, shton ai.

Burimi: INSTAT
“Karavasta Solar”, që është pjesë e shoqërisë franceze të energjisë së rinovueshme “Voltalia” dhe ka nën menaxhim impiantin e Karavastasë me kapacitet 140 MW, është një ndër më të mëdhatë që ka përfunduar dhe po prodhon energji nga fundi i vitit 2023.
Të ardhurat e shoqërisë vetëm nga shitja e energjisë ishin 1.4 miliardë lekë në vitin 2025, me tkurrje 17.4%.
Të ardhurat totale ishin 1.66 miliardë lekë, me përgjysmim nga viti i mëparshëm për shkak të rënies së të ardhurave që lidhen me kontratën derivative të mbrojtjes për çmimin dhe MWh e energjisë elektrike ndaj Shell, sipas instrumenteve financiare derivative dhe bazuar te kushtet e tregut.
Shoqëria deklaroi një humbje prej 54 milionë lekësh në vitin 2025, pas fitimeve prej 2.4 miliardë lekësh para taksave në vitin 2024.
Kalimi i “Karavasta Solar” nga fitimi prej 2.4 miliardë lekësh në vitin 2024 në humbje prej 54 milionë lekësh para tatimit në vitin 2025 lidhet kryesisht me rënien e fortë të të ardhurave nga instrumentet financiare derivative, të lidhura me kontratat e shitjes së energjisë dhe mbrojtjen nga luhatjet e çmimeve.
Sipas pasqyrave financiare, këto të ardhura ranë nga 1.84 miliardë në 268 milionë lekë. Ndërkohë, të ardhurat nga shitja e energjisë u tkurrën me 17.4%, ndërsa amortizimi dhe shpenzimet financiare u rritën.
Kompania vijoi të ishte fitimprurëse në nivel operativ, por kostot e financimit e çuan rezultatin përfundimtar në humbje.
Shoqëria prodhoi 823 mijë MWH në vitin 2025, pothuajse në të njëjtat nivele me një vit më parë, duke përbërë 31% të gjithë prodhimit nga dielli, nga mbi 50% në vitin 2024, për shkak të hyrjes në treg të operatorëve të rinj.
“Voltalia” fitoi ankandin e parë të qeverisë për Karavastanë, ku ofroi një çmim 24,89 euro për megavat. Sipas marrëveshjes, 70 megavat janë të ndara për prodhim dhe shitje në treg të lirë dhe 70 megavat me çmim të rregulluar. Çmimi i rregulluar zgjat për 15 vjet dhe do të blihet nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë.
Një tjetër projekt i “Voltalia” është Parku Fotovoltaik i Spitallës, që do të ketë kapacitet të instaluar 100 MW, nga të cilat 70 MW do të blihen nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, nëpërmjet një kontrate për blerjen e energjisë me çmim të paracaktuar dhe 30 MW do të tregtohen në treg të lirë. Por ky projekt nuk ka avancuar me ritmet e pritshme.
Ndryshe nga Karavastaja, për ankandin e Spitallës, gara u mbyll me çmim 29.89 euro/MWh, për 70% të kapacitetit të fiksuar për 15 vjet, ndërsa pjesa tjetër do të shitet në treg të lirë.
“SPV Blue 1” ishte operatori i dytë më i madh në tregun e energjisë fotovoltaike në vitin 2025. Kompania prodhoi 121 MWh energji në vitin 2025, ose 15% të totalit të diellit, sipas të dhënave nga ERE.
Shoqëria ka deklaruar të ardhura prej 1 miliard lekësh në vitin 2025 dhe fitime 317 milionë lekë, me një normë prej 30%, nga gati 56% vitin e mëparshëm.
Energjia e përfituar nga impianti shitet në tregun e lirë duke e bërë “Blue 1” një nga projektet e para që funksionon jashtë skemave mbështetëse, teksa është një nga më të mëdhenjtë në kapacitet pas Karavastasë. Impianti është i vendosur në Sheq Marinas, Fier, në një sipërfaqe 78 hektarë.
Kompania zotërohet në 51% nga “Blessed Investment”, një kompani që vepron kryesisht në fushën e zhvillimit të pasurive të paluajtshme, ndërsa 49% e aksioneve janë në pronësi të “Matrix Konstruksion”, që operon kryesisht në fushën e ndërtimit dhe infrastrukturës.
Ndërtimi i “Blue 1” shënoi pak vite më parë prirjen në rritje të grupeve të ndërtimit për të diversifikuar investimet e tyre drejt sektorit të energjisë së rinovueshme, diçka që vazhdon ende.
Në një intervistë të mëparshme për “Monitor”, Besnik Leskaj, Themelues dhe President i Grupit “Blessed Investment”, ka pohuar se Projekti Blue ndjek një qasje të tregut të lirë, ku e gjithë energjia e prodhuar shitet drejtpërdrejt në treg.
“Gjatë vitit 2025, kompania jonë arriti 130 MWp kapacitet të instaluar, duke u bërë kompania e parë në Ballkanin Perëndimor që përdori panele me sistem ndjekës të diellit, me financim 100% privat dhe shitje të plota në treg.
Investimet tona në sektorin e energjisë së rinovueshme përfshijnë edhe ndërtimin e dy nënstacioneve (110/35 kV dhe 220/35 kV) në pronësi të vetë Shoqërisë, por edhe linjat e transmetimit të energjisë për lidhjen e impianteve me rrjetin elektrik”.
“Nova Solar System” ishte prodhuesi i tretë më i madh i energjisë nga dielli në vend, me kapacitet të instaluar 50 MW dhe një hyrje e re në listën e fitimeve. Në vitin 2025 prodhoi sipas ERE-s gati 113 mijë MW, ose rreth 14% të totalit. Të ardhurat sipas bilancit ishin 781 milionë lekë dhe fitimet 317 milionë lekë, me normë prej 41%.
“EZ5 Energy”, që ofron një zgjidhje të plotë për ciklin e energjisë diellore, është për të dytin vit radhazi në listën e më fitimprurësve. Kompania deklaroi rënie të të ardhurave me 11.4%, në 1.26 miliardë lekë.
Sipas raportit të aktivitetit, të ardhurat e shoqërisë ishin nga shitja e energjisë elektrike; shitja e konstruksioneve metalike për impiante fotovoltaike; aktivitete ndihmëse dhe të ardhura të tjera operative.
Kompania shpjegon se rënia e të ardhurave lidhet kryesisht me ndryshimin e strukturës së aktivitetit dhe kushteve të tregut të energjisë, ndërsa shoqëria orientoi një pjesë të konsiderueshme të burimeve financiare drejt zgjerimit të aktivitetit tregtar dhe krijimit të inventarëve për projektet në vijim.
Fitimet u rritën me 25% në 334 milionë lekë, me një normë prej 26.5%, nga 19% vitin e mëparshëm. Sipas burimeve zyrtare, kompania e themeluar në vitin 2019, nisi veprimtarinë si tregtare e energjisë diellore në tregun e lirë shqiptar.
Në vitin 2021, kompania ndërtoi parkun e saj fotovoltaik prej 10 MW në Fier, duke kontribuar në tranzicionin drejt energjisë së pastër.
Sot, “EZ5 Energy” operon fabrikën e strukturave për panele diellore, në Vrrina të Durrësit, me kapacitet prodhimi deri në 3 MW struktura mbështetëse në ditë.
Për vitin 2026, kompania deklaron se ka objektiv zgjerimin e aktivitetit në sektorin e energjisë së rinovueshme; rritjen e volumit të tregtimit të energjisë elektrike; zhvillimin e projekteve të reja fotovoltaike; optimizimin e strukturës së financimit dhe rritjen e eficiencës operative.

Burimi: INSTAT

LEXONI EDHE:
200 kompanitë me fitime më të larta; Ekonomia e shtrembëruar nga tenderat dhe informaliteti
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.








