Saturday / November 21 / 2026
Revista Monitor Logo
hamburger menu icon

mbyll

close icon
Ads
200 kompanitë me fitime më të mëdha, 2025 Energji Lajmet Kryesore Nga Vendi

Hidrocentralet e vogla, investimet shlyhen për 9-14 vjet, prodhimi varet nga kushtet hidrike

Share Share Icon

Nga Dr. Ing. Mehmet Hasalami

 

Si çdo aktivitet tjetër ekonomik, edhe sektori hidroenergjetik ka përparësitë, rreziqet dhe vështirësitë e veta. Shoqëritë që zotërojnë dhe menaxhojnë hidrocentralet e vogla përballen me një nivel të konsiderueshëm rreziku, kryesisht për shkak të varësisë së prodhimit të energjisë nga kushtet hidrike të çdo viti.

Luhatjet e prurjeve ujore krijojnë pasiguri në prodhim dhe, për këtë arsye, jo të gjitha investimet në këtë sektor kanë rezultuar me fizibilitet të lartë ekonomiko-financiar.

Në Shqipëri, mbi 90% e hidrocentraleve janë ndërtuar sipas standardeve bashkëkohore dhe, për nga mënyra e operimit, janë konkurruese me hidrocentralet europiane.

Pajisjet kryesore teknologjike, përfshirë hidroturbinat dhe sistemet e automatizimit e të kontrollit (SCADA), importohen nga vendet perëndimore.

Ndërtimi i hidrocentraleve të vogla sjell përfitime në disa drejtime, si në aspektin mjedisor, ashtu edhe në atë ekonomik dhe social.

Në aspektin mjedisor, ndërtimi i veprave të marrjes së ujit të tipit tirolez në përrenjtë dhe lumenjtë malorë ka ndikuar në reduktimin e erozionit, i cili më parë ka qenë i konsiderueshëm në këto zona.

Duhet theksuar se hidrocentralet e vogla përgjithësisht nuk operojnë nga fundi i korrikut deri në fillim të tetorit, pasi gjatë kësaj periudhe, uji duhet të përdoret me përparësi për bujqësinë dhe nevojat e komunitetit.

Këto detyrime përcaktohen në lejet e përdorimit të ujit për çdo objekt. Po kështu, në lejet mjedisore dhe ato të përdorimit të ujit përcaktohet edhe prurja ekologjike që duhet të ruhet në shtratin e lumit, si një element i domosdoshëm për mbrojtjen e mjedisit.

Në aspektin social, ndërtimi i hidrocentraleve ka ndikuar në përmirësimin e infrastrukturës në zonat ku realizohen investimet dhe në krijimin e vendeve të punës për banorët vendas. Si gjatë fazës së ndërtimit, ashtu edhe gjatë operimit, punonjësit rekrutohen kryesisht nga komunitetet ku ndodhen objektet.

Përfitime financiare kanë edhe bashkitë përkatëse, të cilat, përmes vendimeve të këshillave bashkiakë, vendosin tarifa që në disa raste janë të konsiderueshme. Gjithashtu, hidrocentralet, sipas kushteve të përcaktuara për secilin objekt, paguajnë një bonus që varion nga 2% deri në 5% të prodhimit vjetor të energjisë.

Nga pikëpamja financiare, rentabiliteti i hidrocentraleve ndryshon nga një objekt në tjetrin. Një nga treguesit kryesorë është raporti ndërmjet prodhimit vjetor të energjisë dhe vlerës së investimit. Ka hidrocentrale me tregues shumë të mirë ekonomikë, por edhe objekte ku fizibiliteti financiar nuk ka rezultuar i kënaqshëm.

Për hidrocentralet me fizibilitet të mirë financiar, periudha e kthimit të investimit varion nga 9 deri në 10 vjet, kur financimi realizohet me kapitalin e vetë investitorit. Në rastet kur investimi financohet përmes kredive bankare, periudha e kthimit zgjatet në 12-14 vjet, për shkak edhe të normave të larta të interesit të kredive.

Një tjetër element që ndikon në rentabilitetin afatgjatë është nevoja për riinvestime. Pas rreth 16 vitesh operimi, investitorët duhet të kryejnë investime të reja në turbina, në përmbushje të detyrimeve ligjore.

Në këtë kuadër, duhet vlerësuar edhe korrektësia e OSHEE-së në kryerjen e pagesave për energjinë e prodhuar, e cila ka rëndësi për qëndrueshmërinë financiare të operatorëve.

Në përfundim, sektori i hidrocentraleve të vogla përfaqëson një aktivitet ekonomik me kontribut në prodhimin vendas të energjisë, zhvillimin e zonave rurale dhe punësimin, por njëkohësisht mbart rreziqe të lidhura me kushtet hidrike, kostot e financimit dhe nevojën për investime periodike.

Ashtu si në çdo sektor tjetër të ekonomisë, rezultatet financiare varen nga karakteristikat dhe kushtet specifike të secilit investim.

 

LEXONI EDHE:

200 kompanitë me fitime më të larta; Ekonomia e shtrembëruar nga tenderat dhe informaliteti

 

 

Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Ekskluzive Monitor Top 1,000

Publikohen për herë të parë treguesit financiarë të 1000 kompanive më të mëdha në vend. Renditja e grupeve kryesore!

Eksploro Top List
Live Now

Lajme të Ngjashme

Imazhi i Zëvendësimit të Artikullit

Me garazhet që arrijnë mbi 100 mijë euro, parkimi po bëhet një biznes gjithnjë e më i mirë

Në një prej njoftimeve në rrjetet sociale së fundmi, një agjent i pasurive të paluajtshme cilësonte si okazion shitjen e një garazhi në zonën e Bll...

8 minutes më parë 7 Min Lexim

Fitimet e luhatshme të biznesit të madh të energjisë  

Energjia, mbi 90% e së cilës vjen nga hidro, është një treg që vitet e fundit ka tërhequr investime të shumta private, që në pjesën më të madhe jap...

10 minutes më parë 29 Min Lexim
Ads
collaps icon

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS! Regjistrohu Falas!

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS!

Si përdorues i paregjistruar, mund të lexoni vetëm 200 artikuj në muaj. Mund ta rrisni këtë limit duke krijuar një llogari FALAS në faqen tonë.

Regjistrohu FALAS!