Aleksandër Vuçiç thotë se Partia Progresive Serbe (SNS) nuk duhet të marrë pjesë në zgjedhjet presidenciale të dhjetorit. Vuçiç deklaroi se në kushtet aktuale, pjesëmarrja është e pakuptimtë por pranoi se partia mund të vendosë të hyjë në garë edhe kundër vullnetit të tij.

Duke folur të shtunën për televizionin “Informer” nga Parlamenti i Serbisë në Beograd, Vuçiç pretendoi se shumica qeverisëse do të gjejë rreth “10 satelitë të vegjël” për t’u dhënë legjitimitet zgjedhjeve presidenciale.

“Për herë të parë njerëzit po u shohin fytyrat. Për herë të parë po shohin fytyrat e pushtetarëve dhe aftësitë e tyre. Çfarë zgjedhjesh? Për çfarë po flisni? Do të dalin nja dhjetë satelitë të vegjël për t’u dhënë legjitimitet, ose nuk e di çfarë tjetër”, tha Vuçiç.

Vuçiç tha se vendimi për pjesëmarrjen i takon Asamblesë së Partisë Progresive Serbe, e cila mund të marrë një qëndrim tjetër nga ai i tij.

“Ndoshta Asambleja e partisë sonë do të marrë vendim që të marrim pjesë, kundër vullnetit tim. Në këto kushte, pjesëmarrja është e pakuptimtë”, tha ai.

Data e zgjedhjeve presidenciale pritet të shpallet deri më 27 nëntor. Lista Studentore fitoi zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 25 tetorit. Në zgjedhjet e dhjetorit, serbët do të votojnë për presidentin e vendit.