Një 38-vjeçar është gjetur i pajetë sot pranë fshatit Smillkovci, në rajonin e Shkupit, në Maqedoninë e Veriut.
Trupi i tij është konstatuar në një rrugë anësore, ndërsa pranë tij ndodhej edhe një automjet tip “Mercedes” me targa të Shkupit, të cilin dyshohet se e kishte drejtuar më herët.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Brendshme, policia është sinjalizuar për ngjarjen rreth orës 06:15 të datës 21 nëntor. Në vendngjarje kanë mbërritur efektivët, të cilët kanë identifikuar viktimën si Sh.E., 38 vjeç, banues në fshatin Lubin, në rajonin e Shkupit.
Nga këqyrja paraprake është konstatuar se 38-vjeçari kishte një plagë të shkaktuar nga arma e zjarrit në këmbë. Ekipi i Urgjencës ka konfirmuar vdekjen e tij, ndërsa ende nuk janë bërë të ditura rrethanat se si ka ndodhur ngjarja.
Me urdhër të prokurorit publik, trupi i pajetë është dërguar në Departamentin e Mjekësisë Ligjore, ku do t’i nënshtrohet autopsisë për përcaktimin e shkakut të vdekjes.
Ndërkohë, policia ka kryer këqyrjen e vendit të ngjarjes dhe po vijon hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e vdekjes së 38-vjeçarit.
