Tensione të larta janë shënuar këtë të shtunë në Detin Baltik. Anija ruse e mallrave “Sparta II”, e cila lundronte drejt enklavës së Kaliningradit, u godit nga dy dronë në ujërat ndërkombëtare të Gjirit të Finlandës, vetëm tri milje detare larg kufirit rus. Pas shpërthimeve dhe zjarrit në bord, mjeti lundrues mbeti i dëmtuar. Roja Bregdetare e Finlandës dërgoi anije zjarrfikëse dhe ekipe shpëtimi në vendngjarje, ndërsa Helsinki vendosi kufizime të përkohshme për fluturimet dhe lundrimin në zonë. Forcat e Mbrojtjes të Finlandës deklaruan se me shumë gjasa pas këtij sulmi qëndron Ukraina. Kryeministri finlandez, Petteri Orpo, u shpreh se lufta po përhapet në afërsinë e tyre të menjëhershme, por shtoi se Kievi ka të drejtë të kundërpërgjigjet ndaj agresorit. Ministria e Mbrojtjes njoftoi se ka informuar menjëherë NATO-n dhe aleatët për incidentin. Situata u tensionua edhe më tej pak orë më vonë, kur Helsinki njoftoi se një helikopter rus shkeli hapësirën ajrore të Finlandës, duke hyrë mbi katër kilometra në territorin e saj, lëvizje që dyshohet se lidhet me vëzhgimin e anijes së dëmtuar.