Arrestimi i ‘El Chapo Isidro’, përplasje të përgjakshme në Meksikë, 11 të vrarë dhe makina të djegura

Arrestimi i ‘El Chapo Isidro’, përplasje të përgjakshme në Meksikë, 11 të vrarë dhe makina të djegura

22:41, 21/11/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Arrestimi i një prej drejtuesve më të kërkuar të karteleve të drogës në Meksikë ka shkaktuar një valë të përgjakshme dhune në shtetin Sinaloa, ku të paktën 11 persona kanë humbur jetën pas përplasjeve mes forcave të sigurisë dhe personave të armatosur të një karteli kriminal.

Bëhet fjalë për Fausto Isidro Meza Flores, i njohur me pseudonimin ‘El Chapo Isidro’, i cili u arrestua gjatë një operacioni të forcave speciale meksikane në qytetin Guasave. Lajmi u konfirmua të shtunën nga autoritetet meksikane, ndërsa Associated Press (AP) raporton se operacioni u shoqërua me shkëmbime të ashpra zjarri, djegie automjetesh dhe sulme ndaj forcave të sigurisë.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes së Meksikës, bilanci i përleshjeve është shtatë persona të dyshuar si pjesëtarë të kartelit dhe katër ushtarë të vrarë. Tetë persona u ndaluan gjatë operacionit, mes tyre edhe Meza Flores, i cili u transportua me avion drejt Meksiko Sitit.

Pamjet nga Guasave treguan kamionë të përfshirë nga flakët, automjete të djegura dhe banorë të tmerruar nga të shtënat me armë zjarri. Mediat meksikane raportuan gjithashtu për bllokime rrugësh dhe përhapje të dhunës në disa zona të shtetit Sinaloa.

Sipas gazetës spanjolle ‘El País’, arrestimi i kreut të kartelit u shoqërua me një kundërpërgjigje të armatosur nga njerëzit e tij, të cilët tentuan fillimisht të pengonin arrestimin dhe më pas transferimin e tij në një vend të sigurt.

Fausto Isidro Meza Flores konsiderohet një prej figurave të rëndësishme të krimit të organizuar në Meksikë. Ai u ngjit në hierarkinë e organizatës kriminale Beltrán Leyva dhe më vonë drejtoi strukturën e njohur si Organizata Kriminale Transnacionale Meza-Flores.

Ai ishte gjithashtu një aleat i rëndësishëm i fraksionit ‘Los Mayos’, pjesë e Kartelit të Sinaloas, i cili është përfshirë në një konflikt të armatosur me një fraksion rival për kontrollin e territoreve dhe aktivitetit të trafikut të drogës.

Byroja Federale e Hetimeve në SHBA (FBI) e kishte përfshirë Meza Floresin në listën e 10 personave më të kërkuar. Shtetet e Bashkuara kishin ofruar një shpërblim prej 5 milionë dollarësh për informacione që do të çonin në arrestimin ose dënimin e tij.

Ai kërkohej për trafikimin e lëndëve narkotike drejt SHBA-së dhe mbajtjen e paligjshme të armëve të zjarrit. Sipas FBI-së, organizata e tij kriminale ishte e përfshirë në trafikun e heroinës, metamfetaminës, kokainës, fentanilit dhe marijuanës.

Qeveria meksikane bëri të ditur se informacionet e administratës së presidentit Donald Trump ndihmuan në realizimin e operacionit për kapjen e Meza Floresit. Megjithatë, autoritetet nuk dhanë shumë detaje mbi mënyrën e koordinimit mes shërbimeve amerikane dhe atyre meksikane.

Sipas raportimeve të ABC News dhe CBS News, operacioni u realizua nga forcat speciale meksikane në bashkëpunim me agjencitë amerikane të inteligjencës. Krahas kreut të organizatës, në pranga përfunduan edhe persona të tjerë të rëndësishëm të strukturës së tij, përfshirë një të dyshuar si zëvendësi i tij dhe një person të identifikuar si përgjegjës financiar.

Arrestimi është përshëndetur nga autoritetet amerikane dhe meksikane si një sukses në luftën kundër karteleve të drogës. Presidenti Donald Trump ka ushtruar vazhdimisht presion ndaj qeverisë meksikane për të ndërmarrë masa më të ashpra kundër organizatave kriminale që kontrollojnë trafikun e drogës drejt SHBA-së.

Megjithatë, ekspertët e sigurisë paralajmërojnë se kapja e drejtuesve të karteleve nuk nënkupton domosdoshmërisht dobësimin e menjëhershëm të organizatave. Përkundrazi, largimi i një figure të rëndësishme mund të shkaktojë luftëra të reja mes grupeve rivale për marrjen e kontrollit.

Sinaloa ndodhet prej kohësh në një konflikt të armatosur mes fraksioneve të ndryshme të kartelit, ndërsa ngjarjet e fundit kanë shtuar frikën se arrestimi i ‘El Chapo Isidro’ mund të shënojë fillimin e një tjetër vale dhune në rajon.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco