Një anije mallrash ruse, e lidhur me logjistikën e Ministrisë së Mbrojtjes së Rusisë, është goditur nga dronë dhe ka marrë flakë të shtunën në Detin Baltik. Autoritetet finlandeze dyshojnë se sulmi mund të jetë kryer nga Ukraina.
Anija “Sparta II”, e cila ishte nisur nga Shën Petersburgu drejt enklavës ruse të Kaliningradit, u dëmtua në ujëra ndërkombëtare, në perëndim të ishullit Gogland, dhe më pas u zhvendos në ujërat territoriale të Finlandës. Të 16 anëtarët e ekuipazhit u evakuuan fillimisht me varka shpëtimi dhe më pas u transferuan në një anije tjetër ruse, duke u nisur drejt vendit të tyre.
Autoritetet finlandeze nuk përjashtojnë mundësinë që anija të ketë pasur materiale ushtarake në bord, por ngarkesa nuk është konfirmuar ende.
Pas incidentit, Finlanda vendosi kufizime të përkohshme në hapësirën ajrore dhe detare në Gjirin e Finlandës.
Suedia kontribuoi me avionë luftarakë për garantimin e sigurisë së territorit finlandez dhe të NATO-s, ndërsa Estonia dërgoi një anije ushtarake për të ndihmuar në operacionin e shpëtimit dhe parandalimin e ndotjes.
“Lufta po përhapet në zonat fqinje. Autoritetet finlandeze po merren me situatën në Gjirin e Finlandës, ku një sulm me dron ka goditur një anije tregtare ruse. Ukraina ka të drejtë të luftojë kundër agresorit”, tha kryeministri finlandez Petteri Orpo.
© SYRI.net