Katër palestinezë u vranë të shtunën nga sulmet izraelite në Rripin e Gazës, mes tyre tre persona që ndodheshin në një automjet që, sipas Mbrojtjes Civile palestineze, transportonte ushqime për të zhvendosurit. Sulmet vijnë në një kohë kur armëpushimi mes Izraelit dhe Hamasit vazhdon të shoqërohet me akuza të ndërsjella për shkelje.
Sipas zëdhënësit të Mbrojtjes Civile në Gaza, Mahmoud Bassal, tre persona u vranë dhe disa të tjerë u plagosën kur një dron izraelit goditi një automjet në lagjen Tel al-Hawa, në qytetin e Gazës. Automjeti, sipas tij, transportonte ushqime të destinuara për palestinezët e zhvendosur.
Pamjet nga vendngjarja tregojnë automjetin e dëmtuar rëndë nga shpërthimi dhe ushqimet e shpërndara brenda tij. Ushtria izraelite, megjithatë, kundërshtoi raportet se viktimat ishin punonjës të një organizate humanitare, duke deklaruar se pretendimi ishte i pavërtetë.
Sipas një oficeri ushtarak izraelit, informacionet paraprake tregojnë se njëri prej personave të shënjestruar kishte punuar më parë për një organizatë ndërkombëtare ndihme, por ishte larguar nga puna pasi Izraeli kishte informuar organizatën se ai ishte i përfshirë në aktivitete terroriste. Ushtria tha se nuk kishte informacion nëse dy personat e tjerë kishin lidhje me organizata humanitare, ndërsa automjeti nuk kishte shenja identifikuese të ndonjë organizate të tillë.
Një palestinez tjetër u vra nga zjarri izraelit në Jabalia al-Balad, në veri të Rripit të Gazës. Spitali Shifa konfirmoi se kishte marrë trupat e katër personave të vrarë në incidentet e së shtunës.
Ndërkohë, qindra palestinezë u mblodhën të shtunën në Gazën qendrore për t’u dhënë lamtumirën katër personave të vrarë një ditë më parë, në një sulm ajror izraelit pranë kampit Bureij. Ushtria izraelite deklaroi se viktimat ishin anëtarë të krahut ushtarak të Hamasit dhe po përgatitnin sulme kundër civilëve dhe ushtarëve izraelitë.
Të afërmit e viktimave shprehën zemërim për vazhdimin e dhunës, pavarësisht armëpushimit. “Për çfarë armëpushimi po flet Netanyahu?”, deklaroi Mahdi Abu Garqud, vëllai i një prej personave të vrarë, duke shtuar se bota i ka braktisur palestinezët, duke menduar se lufta në Gaza ka përfunduar.
Armëpushimi mes Izraelit dhe Hamasit hyri në fuqi më 10 tetor 2025, pas dy vitesh luftë, e cila nisi me sulmin e Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor 2023. Megjithatë, të dyja palët vazhdojnë të akuzojnë njëra-tjetrën për shkelje të marrëveshjes, ndërsa sulmet dhe incidentet e armatosura vijojnë.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, të përllogaritura nga AFP, më shumë se 1,600 palestinezë janë vrarë që nga hyrja në fuqi e armëpushimit. Shifrat e ministrisë konsiderohen të besueshme nga Kombet e Bashkuara. Nga ana tjetër, ushtria izraelite raporton se gjatë kësaj periudhe janë vrarë tetë persona në anën izraelite, përfshirë shtatë ushtarë dhe një kontraktor civil të forcave të armatosura.
