Mjegulla e dendur ka pushtuar aksin nacional Burrel–Skuraj, duke vështirësuar ndjeshëm qarkullimin e automjeteve dhe duke rritur rrezikun për drejtuesit e mjeteve që lëvizin në këtë segment rrugor.

Përveç problemeve me shikueshmërinë, shoferët përballen edhe me mungesën e sinjalistikës dhe barrierave mbrojtëse anësore. Situata bëhet edhe më problematike për shkak të gjendjes së amortizuar të rrugës, e cila është e mbushur me gropa.

Rreziku shtohet veçanërisht në kushtet e mjegullës, kur fusha e pamjes është tepër e kufizuar dhe çdo manovër e gabuar mund të ketë pasoja të rënda. Në disa pjesë të këtij aksi, situata është edhe më shqetësuese për shkak të afërsisë me Liqenin e Shkopetit, ku humbja e kontrollit të automjetit mund të përfundojë tragjikisht.

Përballë këtyre kushteve, drejtuesit e mjeteve kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme nga institucionet përgjegjëse, duke kërkuar vendosjen e sinjalistikës së nevojshme, instalimin e barrierave mbrojtëse dhe rehabilitimin e rrugës për të garantuar sigurinë e përdoruesve të saj.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb