Inflacioni mbi 7% rëndon qytetarët, ekonomistët kërkojnë masa për uljen e çmimeve
Inflacioni prej 7.1 për qind në Kosovë po rëndon veçanërisht qytetarët me të ardhura të ulëta, ndërsa ekspertët ekonomikë vlerësojnë se institucionet duhet të ndërmarrin masa konkrete për ta zbutur ndikimin e rritjes së çmimeve në ekonominë familjare dhe në bizneset vendore.
Ekonomistët Lulzim Beqiri dhe Safet Gërxhaliu kanë kritikuar mungesën e masave të mjaftueshme institucionale, duke identifikuar varësinë nga importi, kostot e energjisë elektrike dhe transportit, si dhe dobësitë në mbikëqyrjen e tregut si faktorë që po kontribuojnë në rritjen e çmimeve.
Beqiri ka thënë për Ekonomia Online se inflacioni aktual është shqetësues, sidomos për qytetarët që varen nga pagat e ulëta dhe buxheti i shtetit, duke kërkuar ndërhyrje për frenimin e rritjes së çmimeve.
“Sigurisht norma e inflacionit e publikuar nga Agjencia e Statistikave është shqetësuese për qytetarët e Kosovës, sidomos për kategori që varen prej buxhetit të Republikës së Kosovës, apo që marrin paga në nivelin që aktualisht ka. Një normë kaq e madhe, ose dyfishimi në raport me rajonin, për mendimin tim, është shqetësues sepse sigurisht që ndikohet jashtëzakonisht shumë tek qytetarët të cilët kanë të ardhura të vogla. Prandaj konsideroj që është shumë e rëndësishme që institucionet e Republikës së Kosovës të ndërmarrin hapa të duhur, në mënyrë që të ulin këtë inflacion, i cili po ndikon në jetesën e qytetarëve. Janë disa faktorë që aktualisht Republika e Kosovës ballafaqohet, është varësia nga importi, sigurisht që shumicën e produkteve Kosova i importon dhe ndikohet nga edhe tregjet ndërkombëtare dhe kriza të ndryshme”, tha ai.
Beqiri ka vënë në pah edhe mungesën e mbikëqyrjes së tregut, duke thënë se Autoriteti i Konkurrencës nuk e ka bordin e kompletuar dhe nuk i raporton Kuvendit, gjë që, sipas tij, krijon hapësirë për ngritje të çmimeve nga tregtarët.
“Pastaj është mosmbikëqyrja e tregut, siç është agjencia, e cila mbikëqyr tregun e konkurrencës. Tashmë siç dihet nuk i raporton Kuvendit të Republikës së Kosovës, nuk ka bordin e kompletuar dhe për rrjedhojë shumë tregtarë të pandërgjegjshëm po e shfrytëzojnë situatën dhe po i ngrisin çmimet në mungesë të një mbikëqyrje institucionale, siç është Autoriteti i Konkurrencës, i cili pothuajse tashmë as Kuvendit të Republikës nuk i raporton. Pra janë disa faktorë të cilët ndikojnë drejtpërdrejt dhe këta faktorë do duhet që të parandalohen nga institucionet e Republikës së Kosovës”, tha ai.
Sipas Beqirit, kostot e energjisë elektrike dhe transportit janë po ashtu ndër faktorët kryesorë që ndikojnë në shtrenjtimin e produkteve dhe shërbimeve, pasi këto kosto barten nga bizneset te konsumatorët.
Ai ka kërkuar uljen e kostos së energjisë elektrike dhe mbështetje për bizneset prodhuese, në mënyrë që të zvogëlohet varësia e Kosovës nga importi.
“Po njëri ndër faktorët kryesorë të inflacionit është edhe kosto e energjisë elektrike, që tashmë ka arritur rekord. Pastaj edhe transporti që kjo varet krejt bizneset, të cilat për rrjedhojë të ngritjes së çmimeve të transportit apo derivateve ose të energjisë elektrike, do të rriten edhe çmimet dhe barrën kryesore ta bartë konsumatori kosovar. Pra është një zinxhir i cili në fund të fundit përfundon te xhepi i konsumatorit dhe është shumë e rëndësishme që të paktën institucionet e Republikës, përveç statistikave të bukura, përveç fjalimeve të bukura që i mbajnë në Kuvendin e Kosovës, në media, për punësime rekorde, për investime të jashtëzakonshme, për aktivitete ekonomike të cilat pothuajse nuk kanë ndodhur në herët. Në realitet, shumë qytetarë, rreth 25.000 familje ballafaqohen me mbijetesë, me një numër rreth 100.000 qytetarë apo 1/3 e popullsisë e cila varet nga ndihmat e shtetit. Prandaj konsideroj që është shumë e rëndësishme që të ndërmerren masa sidomos në uljen e kostos së energjisë elektrike, pastaj mbështetjen e bizneseve, sidomos bizneseve prodhuese në mënyrë që me ulë sadopak varësinë nga importi, sepse Kosova po thyen rekord çdo ditë e më shumë nga importi dhe varet kryesisht nga krizat e ndryshme ndërkombëtare dhe ne aktualisht nuk kemi pa dorën e shtetit që i ka ndihmuar qoftë qytetarëve, qoftë bizneseve përveç ekspozeve të ndryshme që kanë pasur nëpër portale”, tha ai.
Ndërkaq, ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, ka thënë se inflacioni nuk duhet të shihet vetëm si një shifër statistikore, por duhet të vlerësohet edhe përmes ndikimit që ka në jetën e qytetarëve dhe zhvillimin e ekonomisë.
Ai ka theksuar se varësia e lartë nga importi po e ngulfat ekonominë e Kosovës, duke e bërë atë të cenueshme nga krizat dhe zhvillimet në tregjet ndërkombëtare.
“Brenga ime më e madhe është fakti se si duket në Kosovë statistikat japin rezultate të sakta. Duhet të kuptohet që inflacioni nuk është vetëm një shifër apo një numër, por është ajo çka e përjeton dhe si ndikon te qytetarët dhe te ekonomia. Kosova sot është një shtet i varur nga importi. Kosova sot definitivisht parametrat ekonomik i ka në një stad jo të lakmueshme, prandaj vetë fakti që në vend që të jemi një shoqëri eksportuese apo të kemi prodhim dhe të jemi eksportues, ne jemi një shtet i varur nga importi dhe kjo varshmëri nga importi është duke e ngulfatur ekonominë e Kosovës”, tha ai.
Gërxhaliu ka vlerësuar se Qeveria duhet të ndërhyjë përmes mekanizmave fiskalë, duke përmendur mundësinë e uljes së akcizës për produkte strategjike dhe përgjysmimit apo ngrirjes së TVSH-së për produktet esenciale, si masa që mund të ndihmojnë në lehtësimin e barrës mbi qytetarët.
“Është e vërtetë që qeveria nuk krijon inflacion, por qeveria duhet të gjejë mekanizma për të luftuar inflacionin dhe në këtë drejtim manevrimi apo oscilimi, qoftë me akcizën në produkte strategjike, qoftë në përgjysmimin apo ngrirjen e tatimit në vlerën e shtuar në produkte esenciale, ndoshta kishte me qenë vetë një ndihmë që do të ndikonte në shportën e qytetarit. Nuk jetohet nga ndihmat sociale, duhet vërtet të jemi të orientuar drejt zhvillimit ekonomik dhe ky zhvillim ekonomik duhet të involvojë në partneritet sektorin privat dhe në veçanti sektorin prodhues. Nuk ka zhvillim ekonomik dhe partneritet me sektorin privat pa një dialog të mirëfilltë. Ky po i mungon Kosovës dhe dua të besoj që me kalimin e kohës të gjitha këto do të kuptohen, por do të jetë vonë. Është e vërtetë që kemi heshtur atëherë kur kemi pasur sanksione nga Bashkimi Evropian, kemi heshtur atëherë kur nuk kemi pasur institucione dhe stabilitet politik dhe këtë kolateral do ta paguajnë edhe ekonomia, po besoj edhe gjeneratat që do të vijnë në të ardhmen”, tha ai.
Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), inflacioni vjetor në tetor 2026 ishte 7.1 për qind, krahasuar me të njëjtin muaj të vitit paraprak, ndërsa në shtator kishte arritur në 7.8 për qind.
Rritja më e madhe e çmimeve u regjistrua në kategorinë e transportit, me 21.5 për qind, ndërsa te strehimi, uji, energjia elektrike dhe lëndët djegëse shënoi rritje prej 9.7 për qind. Pijet alkoolike dhe duhani u shtrenjtuan për 5 për qind, kurse restorantet dhe shërbimet e akomodimit për 4.5 për qind.















