Nga Boldnews.al
Rastësia në rastin e saj mund të jetë në një përqindje aq të ulët sa vetëm të “lajthiturit” mund të mendonin se do ndodhte, por në të vertetë ndodhi. Pa mbushur 24 orë nga intervista e Elisa Spiropalit, ku mbajti në gojë gjatë për keq emrin e Belinda Ballukut si “modeli më i keq që po shkatërron qeverisje dhe PS-në”, i vjen lajmi se SPAK ka nisur procedim penal që prek atë dhe familjen e saj.
Pesë 5 akuza të rënda, mes të cilëve korrupsion, fshehje pasurie dhe pastrim parash janë tashmë ëndrra e keqe e Spiropalit, por të paktën e ka të qartë nga kush e ka dhe kush po keqpërdoret. Ish-kryeparlamentarja, ministrja dhe sot një deputete e thjesht Elisa Spiropali e anatemuar nga Rama si “tradhtare”, po përballet me trysninë e drejtësisë, institucion që Rama mburret se e ka krujuar ai dhe forca e tij politike.
Prokuroria Speciale SPAK nisi hetimet pas denoncimit të “Nesti Agonëve” të Drejtorisë së Tatimeve që iu futën Elisës dhe bizneseve të saj me themel.
Në këtë situatë befasia nuk është se një ish-ministre dhe familja e saj kanë pasuri, apo sesi e arriti atë me një rrogë shteti, pasi këtë anormalitet e kemi kthyer vetë në normalitet, por si drejtësia e re bëhet një vegël qorre për të fshirë kundërshtarët politik edhe brenda llojit tremb më shumë se gjithçka tjetër. Vret më fort edhe se pasuria pa logjikë e një “shoqeje” të thjesht e të varfër.
Tashmë janë në përplasje të hapur dy gratë më të pushtetshme të kryeministrit i cili në këtë rast po e shijon duke mbajtur dukshëm anën e ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku.
Paradoksalisht “kandari i drejtësisë” anoi nga krahu që donte Rama dhe tashmë është Spiropali ajo që do shohë veten në pasqyrën e godinës së SPAK, pa u tharë ende boja e vulës që dërgoi dosjen e Ballukut në gjykatë, pa masë sigurie.
Pulti i komandimit padyshim është në regjinë qëndrore të drejtuar nga Rama, ndërsa SPAK fatkeqësisht tregoi edhe një herë se pavarësia ka shtrirje deri në Bulevardin Dëshmorët e Kombit. Aty ndalon dhe pret si është gdhirë e ngrysur njeriu që thotë se e ngjizi vetë drejtësinë e re, ku një prej “famijëve të dashur” u quajt SPAK.
“Babai krijues” ka disa muaj që nuk ndihet mirë me protestat e mëdha qytetare, por si “bir i denjë”, ky institucion i ka dhënë frymëmarrje në ditë të vështira. Konkretisht dosja hetimore e Belinda Ballukut korrespondoi me kulmimin e hetimeve në kohën e protestave.
Me shtimin e akuza, minimalisht çdo jurist ishte i qartë se vetëm koha nuk mund të parashikohej saktë kur do të dërgohej në parlament kërkesa për dhënien e autorizimit për arrestimin e Ballukut. Për “çudinë” edhe të vetë SPAK-ut, jo vetëm masë nuk u kërkua por në një konferencë shtypi pa kamera, dy prokurorët e çështjes dhe kryeprokurori u justifikuan gjatë se “Parlamenti ua kishte lidhur duart”.
Balluku ndriu e gjitha duke mbyllur me sukses sfidën e jetës, ndërsa pati plot kohë, mundësi dhe dëshirë të madhe për të fundosur rivalen Spiropali, rivalitet që mund të ketë zanafillën edhe nga një “mëri e hershme” se kujt prej tyre i rrinte me bukur fustani në një mbrëmje ku i madhi ishte gjithë sy për dukjen e grave të tij politike.
Inatet personale të grave të pushtetit duhet të vlenin më shumë për lajmet rozë, por përfshirja e SPAK duke e keqpërdorur veten është lajmi i zi që nuk mund të kalojë me një fundjavë thashethemesh. Godina e xhamtë po reflekton si pasyrë për kryeministrin ku i duket vetja i pashëm dhe i fortë.












