Policia e Kosovës ka dhënë detaje për rastin e raportuar fillimisht nga Dogana, ku gjatë kontrollit të një autobusi në pikën kufitare në Merdare u gjetën 150 fishekë të padeklaruar.

Sipas Policisë, njësitë policore dhe zyrtarët doganorë gjetën në valixhen e shoferit 50 fishekë për pushkë gjuetie dhe 100 fishekë me gaz. Municioni u sekuestrua, ndërsa shoferi deklaroi gjatë intervistimit se fishekët i kishte blerë në një dyqan në Itali.

Prokurori kujdestar urdhëroi hapjen e rastit dhe kontrollin e shtëpisë së të dyshuarit. Gjatë kontrollit, shoferi dorëzoi një pistoletë dhe një pushkë gjuetie, të dyja me leje, si dhe 240 fishekë të kalibrave të ndryshëm.

Policia e ka iniciuar rastin për import dhe transportim të paautorizuar të armëve apo mjeteve plasëse. Me urdhër të prokurorit, i dyshuari është liruar dhe rasti do të vazhdojë në procedurë të rregullt.