Detaje të reja nga operacioni ushtarak amerikan “Midnight Hammer”, i zhvilluar në qershor 2025 kundër objekteve bërthamore të Iranit, janë zbardhur përmes një raporti të publikuar nga revista ushtarake amerikane “Air & Space Forces Magazine”. Dëshmitë e pilotëve të bombarduesve B-2 zbulojnë momente nga misioni, përgatitjet shumëvjeçare dhe operacioni i fshehtë që synonte të mbante Teheranin në befasi.
Një nga momentet më të forta të misionit ndodhi në orët e para të 22 qershorit 2025, kur dy pilotë të një bombarduesi B-2, pas rreth 18 orësh fluturim, iu afruan objektivave në Iran. Kur panë dritat e qytetit poshtë tyre, njëri prej pilotëve reagoi me habi: “Zoti im, është Teherani!”.
Edhe pse skenari ishte simuluar dhjetëra herë gjatë stërvitjeve, këtë herë misioni po zhvillohej realisht. Pak minuta më vonë, pilotët hapën hapësirën e armëve dhe lëshuan dy bomba gjigante depërtuese, me peshë rreth 13.6 tonë secila, drejt objektit bërthamor nëntokësor të Fordow.
Fillimisht, ekuipazhi u largua nga zona, por më pas vendosi të kthehej për të parë efektin e goditjes. Rreth 15 sekonda pas lëshimit, një shpërthim i fuqishëm ndriçoi malet iraniane, duke shndërruar natën në ditë.
Sipas raportit, përgatitjet për goditjen e objektit bërthamor në Fordow kishin nisur që në vitin 2009, pasi agjencitë amerikane të inteligjencës zbuluan ndërtime të dyshimta në malet në jugperëndim të Teheranit.
Për afro 15 vite, ekspertët amerikanë analizuan strukturën nëntokësore dhe sistemet që e mbështesnin atë. Në qendër të planit ishte zhvillimi i bombës GBU-57, e projektuar për të depërtuar në struktura të fortifikuara dhe thellë nën tokë. Bombarduesi B-2 ishte i vetmi avion amerikan i aftë për transportimin e kësaj arme.
Në ditët para sulmit, inteligjenca amerikane zbuloi se Irani kishte ndërmarrë përpjekje për të mbyllur me beton disa pjesë të objektit, duke detyruar planifikuesit të ndryshonin strategjinë. Rishikimet e planit vijuan deri në orët e fundit përpara nisjes së misionit.
Një tjetër element kyç ishte fshehja e lëvizjes së shtatë bombarduesve B-2 nga baza ajrore Whiteman në Misuri. Për të shmangur zbulimin e objektivit të vërtetë, ushtria amerikane organizoi një operacion mashtrimi, duke krijuar përshtypjen se bombardues të tjerë po niseshin drejt Guamit dhe Diego Garcias, në Oqeanin Indian.
Kjo manovër synonte të çorientonte vëzhgimin iranian dhe të ruante sekretin e misionit deri në momentin e goditjes.
