E diel, 22 nëntor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK PUBLIK
“Shpërblimi” i grupit të Ballukut për Blendi Sulajn: Veliaj e shkarkoi, qeveria i zbardhi lejen e kullës po atë ditë
Investigim

“Shpërblimi” i grupit të Ballukut për Blendi Sulajn: Veliaj e shkarkoi, qeveria i zbardhi lejen e kullës po atë ditë

Përplasjet mes grupeve të interesit brenda mazhorancës duket se kanë lënë gjurmë edhe në Bashkinë e Tiranës, ku ndryshimet në drejtimin e institucionit janë shoqëruar me largime zyrtarësh dhe lëvizje që ngrenë pikëpyetje mbi mënyrën se si janë trajtuar projektet e ndërtimit. Në qendër të një prej këtyre zhvillimeve është Blendi Sulaj, ish-nënkryetar i Bashkisë së Tiranës, dhe një kompani me të cilën ai ka pasur lidhje të mëparshme, përfituese e një lejeje për ndërtimin e një kulle shumëkatëshe.

Sipas dokumentacionit të publikuar, më 31 gusht 2026, në të njëjtën ditë kur Erion Veliaj ndërmori shkarkimin e Sulajt nga detyra, u zbardh edhe leja e ndërtimit për kompaninë ASINVEST, e cila parashikon zhvillimin e një objekti 20-katësh në Tiranë. Përputhja kohore mes dy ngjarjeve ka ngritur pikëpyetje mbi marrëdhëniet dhe ndikimet e mundshme brenda strukturave të pushtetit.

Sulaj ishte emëruar nënkryetar i Bashkisë së Tiranës në gusht të vitit 2025, me përgjegjësi edhe për çështjet e mbrojtjes së territorit. Por emri i tij është përmendur edhe në lidhje me aktivitetin e kompanisë ASINVEST, të cilën e kishte themeluar dhe zotëruar më herët. Pavarësisht kalimit të pronësisë te persona të tjerë, dokumentet e referuara në këtë rast tregojnë se lidhjet e tij me shoqërinë kanë vijuar të shfaqen në regjistrimet e mëvonshme.

ASINVEST dhe historia e ndryshimeve të pronësisë

Kompania ASINVEST është krijuar në vitin 2021 dhe ka pasur në objektin e saj të aktivitetit ndërtimin, projektimin e godinave, shitblerjen e pasurive të paluajtshme, si dhe shërbime të tjera, përfshirë reklamat dhe ndërtimin e faqeve të internetit. Shoqëria është lidhur më herët me aktivitetin politik të Sulajt, pasi përmes saj ai kishte organizuar edhe fushatën e Lulzim Bashës në vitin 2021.

Sipas historikut të dokumenteve, në vitin 2023 Sulaj ka nënshkruar një deklaratë për dhurimin e kuotave në favor të Ermal Haxhiajt. Në mars të vitit 2024, ky i fundit ia ka kaluar kuotat nënës së tij, Luanesha Haxhiaj.

Megjithatë, ndryshimet në pronësi nuk e kanë shkëputur përfundimisht emrin e ish-zyrtarit nga aktiviteti i kompanisë. Në qershor të vitit 2025, Blendi Sulaj është regjistruar sërish në shoqëri, këtë herë në pozicionin e administratorit, me një mandat që, sipas dokumentacionit, shtrihej deri në vitin 2030.

Ky zhvillim është veçanërisht domethënës për shkak të funksionit publik që Sulaj mbante në të njëjtën periudhë, si nënkryetar i Bashkisë së Tiranës, me përgjegjësi për mbrojtjen e territorit. Më pas, administrimi i kompanisë ka ndryshuar sërish, ndërsa leja për projektin shumëkatësh është zbardhur në gusht të vitit 2026.

Leja e parë u miratua në tetor 2024 nga KKTU me firmën e Ballukut

Historia e projektit në zonën e Liqenit të Thatë nis më herët. Më 4 tetor 2024, Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit, i drejtuar nga kryeministri Edi Rama, me firmën e zv.kryeministres së atëhershme Belinda Balluku, miratoi lejen e zhvillimit për një kompleks rezidencial në këtë zonë të Tiranës.

Vendimi parashikonte ndërtimin e një godine me 15 dhe 20 kate mbi tokë, si dhe dy deri në shtatë kate nëntokë, me shoqërinë ASINVESTMENT sh.p.k. të përcaktuar si subjekt zhvillues.

Dokumentacioni i këtij projekti e vendos kështu kompaninë në një marrëdhënie të hershme me vendimmarrjen e strukturave qendrore të territorit, ku rol drejtues kishte kryeministri Rama dhe ku Balluku kishte firmosur vendimin përkatës.

Dy vite më vonë, më 31 gusht 2026, leja përfundimtare e ndërtimit për kullën 20-katëshe rezulton e zbardhur. Pikërisht kjo datë përkon me largimin e Blendi Sulajt nga posti i nënkryetarit të Bashkisë së Tiranës.

Shkarkimi nga Veliaj dhe mesazhi politik i Sulajt

Në fund të gushtit 2026, Erion Veliaj ndërmori një valë ndryshimesh në drejtimin e Bashkisë së Tiranës, duke larguar disa prej zyrtarëve të emëruar gjatë periudhës kur ai nuk ushtronte kompetencat e plota të drejtimit të institucionit. Mes tyre ishte edhe Blendi Sulaj, i cili kishte marrë detyrën e nënkryetarit në vitin 2025.

Largimi i tij u pasua nga një reagim publik në rrjetet sociale, ku Sulaj falënderoi bashkëpunëtorët dhe kryeministrin Edi Rama për mbështetjen e dhënë gjatë kohës që kishte mbajtur detyrën.

Por ish-nënkryetari nuk e la me kaq. Ai bëri të ditur se angazhimin e tij të ardhshëm do ta përqendronte te fushata elektorale e Partisë Socialiste dhe mbështetja për kandidaten Ogerta Manastirliu.

“Me padurim dhe plot energji do të përkushtohem në sfidën elektorale në mbështetje të PS dhe kandidates Ogerta Manastirliu”, deklaronte Sulaj pas largimit nga detyra.

Ky qëndrim u interpretua si një sinjal politik në një kohë kur brenda Partisë Socialiste po bëheshin gjithnjë e më të dukshme përplasjet mes grupeve të ndryshme të pushtetit.

Në këtë panoramë, rasti i ASINVEST dhe Blendi Sulajt ngre disa pikëpyetje që kërkojnë përgjigje: Si shpjegohet që ish-nënkryetari, i cili kishte përgjegjësi për mbrojtjen e territorit, rezulton i lidhur me një kompani ndërtimi që përfiton leje për një kullë 20-katëshe? Pse emri i tij shfaqet sërish në administrimin e shoqërisë pasi kuotat ishin kaluar te persona të tjerë? Dhe a është thjesht rastësi që zbardhja e lejes përkon me ditën kur Veliaj e largoi nga detyra?

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.