Aksi nacional Rrëshen-Burrel vijon të përballet me dëmtime të shumta, duke e bërë gjithnjë e më të vështirë dhe problematik qarkullimin e automjeteve. E ndërtuar 13 vite më parë, rruga është degraduar pothuajse në të gjithë gjatësinë e saj prej 31 kilometrash.

Përgjatë këtij segmenti evidentohen rrëshqitje të trasesë, çarje dhe dëmtime të asfaltit, ndërsa gropat e shumta vështirësojnë lëvizjen e automjeteve. Situata është kthyer në një shqetësim të përditshëm për banorët e zonës dhe drejtuesit e mjeteve, të cilët përveç vështirësive në udhëtim përballen edhe me dëmtime të automjeteve.

Kryetari i Bashkisë Mirditë, Albert Mëlyshi thotë se ky aks rrugor është në varësi të Autoritetit Rrugor Shqiptar. Sipas tij, institucionet qendrore janë vënë disa herë në dijeni për problematikat e krijuara, duke kërkuar ndërhyrje për rehabilitimin e rrugës.

Rruga Rrëshen-Burrel nuk u shërben vetëm drejtuesve të mjeteve që përshkojnë këtë itinerar, por edhe banorëve të 10 fshatrave të bashkive Mirditë dhe Mat, të cilët e përdorin çdo ditë për lëvizjet dhe nevojat e tyre.

 Në këto kushte, rehabilitimi i saj mbetet një domosdoshmëri, për të garantuar sigurinë dhe lehtësimin e qarkullimit në këtë zonë.