Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në buxhetin e vitit 2027 parashikon financimin e 7,51 milionë vizitave në kujdesin shëndetësor parësor, me një fond prej 1,6 miliardë lekësh.
Në mbështetje të pacientëve me diabet, buxheti i MSHMS parashikon 174 milionë lekë për rimbursimin e fishave të matjes së glicemisë, ndërsa për paketën e stomës janë planifikuar 150 milionë lekë, për rreth 770 pacientë.
Sa i përket fëmijëve me diabet, në buxhetin e MSHMS thuhet se gjatë vitit 2027 do të punohet për realizimin e programit të pajisjes së tyre me sensorë për monitorimin e glicemisë. Ky angazhim nuk u arrit të finalizohej për shkak të problematikave teknike.
Në fushën e parandalimit, vaksinimi mbetet një tjetër prioritet, me financimin e vaksinimit të rreth 180 mijë fëmijëve sipas kalendarit kombëtar dhe të rreth 300 mijë personave kundër gripit sezonal.
Një zhvillim i pritshëm për vitin 2027 është zgjerimi i programit të vaksinimit kundër virusit HPV, përmes kalimit nga vaksina katërvalente në atë nëntëvalente dhe përfshirjes edhe të djemve në program.
Në buxhetin 2027 të MSHMS, parashikohet kryerja e 20 mijë testeve molekulare HPV, me një financim prej 60 milionë lekësh.
Këto masa synojnë forcimin e parandalimit dhe zbulimit të hershëm të infeksioneve që lidhen me zhvillimin e kancerit të qafës së mitrës, si dhe uljen e barrës së sëmundjeve tumorale në të ardhmen.

