Kryeministri Edi Rama ka mbërritur në pikën kufitare të Qafë Thanës, ku pritet të zhvillojë një takim me homologun e tij të Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski.
Në qendër të takimit do të jetë promovimi i sistemit të integruar të kontrollit kufitar me një ndalesë, i njohur si “One Stop Shop”, i cili synon të lehtësojë procedurat e kalimit të kufirit mes dy vendeve.
Ky sistem synon të reduktojë kohën e pritjes për qytetarët dhe automjetet, duke mundësuar një kontroll më të shpejtë dhe më efikas në pikën kufitare.
Nisma konsiderohet një hap i rëndësishëm drejt forcimit të bashkëpunimit ndërmjet Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, si dhe përmirësimit të lëvizjes së lirë të njerëzve dhe mallrave.