Kryeministri Edi Rama ka folur për uljen e TVSH-së nga 20% në 6% për 54 produkte bazë të shportës ushqimore, pjesë e Paketës Fiskale 2027, duke theksuar se masa duhet të reflektohet edhe në çmimet që paguajnë qytetarët.
Në podkastin e tij “Flasim”, Rama kërkoi përgjegjshmëri nga bizneset, ndërsa paralajmëroi se Qeveria dhe institucionet do të shtojnë kontrollet për të verifikuar zbatimin e uljes së TVSH-së në praktikë.
Kryeministri u bëri thirrje qytetarëve të përdorin “Pasqyrën Dixhitale të Çmimeve”, ku raportohen çmimet e 224 produkteve të ndryshme, për të krahasuar ofertat mes subjekteve tregtare.
“Paketa e re fiskale, një pikë shumë e rëndësishme e saj ishte një pikë që adresonte problematikën e çmimeve të ushqimeve bazë, për të cilat, 54 produkte, Parlamenti me propozim të Qeverisë vendosi të ulë TVSH-në nga 20% në 6%. Por kjo ulje, të mos jetë një ulje që të mbetet relativisht, sepse gjithsesi një ulje do reflektohet, por që të mbetet në shifrat e ligjit, duhet që edhe zbatimi në praktikë të shoqërohet me dije dhe përgjegjshmëri nga tregtarët, por edhe me kontrolle dhe sa më shumë transparencë nga qeveria”, u shpreh Rama.
Ai tha se pas uljes së TVSH-së, çmimet nuk do të ulen domosdoshmërisht në mënyrë automatike, pasi disa biznese mund të synojnë të rrisin fitimet duke mos reflektuar plotësisht ndryshimin në çmimet e produkteve.
Duke iu referuar një shprehjeje të gjyshes së tij, “fqinj i lumtur, shtëpi e lumtur”, Rama argumentoi se zhvillimi ekonomik mund të krijojë hendek mes shtresave shoqërore dhe se në këto raste duhet të ndërhyjë Qeveria për ta zbutur atë.
“Kapitalizmi është kafshë e egër, nuk bëhet kapitalizmi lepur. Ju do e shikoni që kjo do sjellë impakt të menjëhershëm në momentin kur ju do keni një TVSH më të ulët. Shpesh herë nuk e kuptoj, gjyshja ime që nuk kishte shumë shkollë, por që lexonte libra çdo pasdite thoshte një shprehje ‘fqinj i lumtur, shtëpi e lumtur’. Që do të thotë se ti mund të pasurohesh dhe të kesh shumë gjëra, por nëse ai që është afër teje nuk arrin dot të nxjerrë fundin e muajit, duhet të mendosh edhe për të në kontributet që jep, sepse pastaj do vij te ty. Një shoqëri që zhvillohet dhe në një zhvillim kapitalist, si në Shqipërinë e këtyre viteve, që zhvillimi fillon e merr një ritëm të ri, krijon vetvetiu hendeqe me ata që mbeten pas. Prandaj duhet ndërhyrja e Qeverisë”, tha kryeministri.
Rama shtoi se për familjet që kanë vështirësi të përballojnë shpenzimet për ushqime, është më e rëndësishme që produktet të jenë më të përballueshme sesa bizneset të synojnë fitimin maksimal.
“Kështu që më mirë që këta njerëzit që e kanë më të vështirë sesa të tjerët që të ngrenë atë shportën me ushqime ta marrin më lirë sesa ç’do të ishte fitimi maksimal, sesa ajo shporta t’u bëhet një barrë aq e madhe sa një ditë të vijnë në xhamat e magazinës time. Unë e kuptoj shumë mirë këtë pjesë dhe e di që me predikime nuk zbutet kapitalizmi, por gjyshja ime kishte edhe diçka tjetër. Ajo besonte se ka edhe një botë tjetër, ku ka një biletë për të shkuar në ferr, në parajsë apo purgator. Ajo kur isha i vogël ma shpjegonte si kinema”, përfundoi Rama.