Një aksident rrugor është regjistruar në Kallm të Fierit, ku një automjet tip “Volkswagen” ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në një kanal vaditës, në aksin që të çon drejt inceneratorit.

Sipas burimeve policore, dyshohet se aksidenti ka ndodhur gjatë orëve të natës, pasi drejtuesi i automjetit ka humbur kontrollin në një kthesë, duke përfunduar jashtë rruge.

Fatmirësisht, nga aksidenti nuk raportohet për persona të lënduar, ndërsa automjeti ka pësuar dëme materiale. 

Ndërkohë, drejtuesi i automjetit nuk është gjetur në vendngjarje dhe dyshohet se është larguar pas aksidentit. Policia po punon për identifikimin e tij dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.