Tubimi para Kryeministrisë, procedohen penalisht 10 persona, policia gjobit 13 protestues
Policia ka proceduar penalisht 10 persona gjatë tubimit të djeshëm në Tiranë.
Në një njoftim për mediat, policia bën me dije se janë vendosur edhe 13 gjoba ndaj protestuesve.
“Në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale, të kryera nga shërbimet e Policisë së Tiranës, në drejtimin e Prokurorisë, me qëllim nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të autorëve të veprimeve të kundërligjshme, gjatë tubimit të zhvilluar dje, u proceduan penalisht 10 shtetas.
Gjithashtu, në zbatim të Aktit Normativ Nr. 5, datë 28.10.2026, konkretisht pikës 2 të nenit 24/1, janë plotësuar 13 procesverbale për konstatimin e kundërvajtjeve administrative të kryera.
Specialistët për Hetimin e Krimeve, në bashkëpunim me Prokurorinë, vijojnë veprimet hetimore për dokumentimin e plotë të veprimeve të kundërligjshme, identifikimin e shtetasve të tjerë të përfshirë në to, si dhe nxjerrjen e tyre përpara përgjegjësisë ligjore”, njofton policia.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.




