Ministri i Arsimit i Koresë së Jugut jep dorëheqjen pas skandalit të mashtrimit në provime

Ministri i Arsimit i Koresë së Jugut, Choi Kyo-jin, ka dhënë dorëheqjen pas një skandali mashtrimi në provime që tronditi vendin.
Ai deklaroi se merr përsipër përgjegjësinë e plotë për konfuzionin e shkaktuar nga masat e marra në momentin e fundit, të cilat synonin të parandalonin mashtrimet me ndihmën e Inteligjencës Artificiale (IA) gjatë provimit vjetor të pranimit në universitet, të njohur si "Suneung", i cili u zhvillua të enjten.
Një javë më parë, kandidati që arriti rezultatin më të lartë në provimin kombëtar të kontabilitetit tatimor pranoi se kishte përdorur një minikamerë, një telefon celular dhe mjete të bazuara në Inteligjencën Artificiale.
Kjo i shtyu autoritetet të vepronin me urgjencë për të zbuluar pajisjet e fshehura, duke përfshirë dërgimin e njoftimeve të emergjencës në çdo telefon celular në vend.
Provimi "Suneung" zgjat deri në nëntë orë dhe luan një rol kyç në të ardhmen profesionale të miliona koreano-jugorëve.
"Si ministër përgjegjës, besoj se nuk mund t'u shmangem kritikave se kemi dështuar të përgatitemi paraprakisht", citohet të ketë thënë Choi të dielën, sipas agjencisë së lajmeve koreano-jugore "Yonhap".
"Tani që provimi ka përfunduar, ndjej një përgjegjësi të thellë dhe po jap dorëheqjen time", shtoi ministri.
Presidenti i Koresë së Jugut, Lee Jae Myung – i cili ka bërë thirrje për një reformim të plotë të sistemit aktual të provimeve – e pranoi më vonë dorëheqjen e Choi-t.
Ministria e Arsimit njoftoi më herët se 111 kandidatë ishin kapur me pajisje inteligjente të palejuara gjatë provimit "Suneung" të këtij viti, në të cilin morën pjesë rreth 500,000 studentë.
Shqetësimet lidhur me pandershmërinë akademike gjatë këtij provimi, ku konkurrenca është tejet e ashpër, ishin shtuar javët e fundit, pas raportimeve se disa kandidatë kishin mashtruar duke përdorur pajisje të bazuara në Inteligjencën Artificiale.
Këto shqetësime arritën kulmin fundjavën e kaluar, kur Han Won-seok, kandidati që kishte arritur rezultatin më të lartë në provimin e kontabilitetit tatimor në muajin prill, pranoi se kishte mashtruar.
Rrëfimi i tij erdhi pas spekulimeve të shumta lidhur me rezultatin e tij jashtëzakonisht të lartë – ai kishte gabuar vetëm në një nga 160 pyetjet.
"Përdora një mikrokamerë për të fotografuar pyetjet e provimit dhe ia dërgova ato një sistemi të Inteligjencës Artificiale; më pas, i verifikova përgjigjet në telefonin tim inteligjent për të kryer mashtrimin", tha 34-vjeçari në një mesazh video.
Kjo i shtyu autoritetet të vendosnin masa urgjente, vetëm pak ditë para provimit Suneung.
Kjo përfshinte dërgimin e alarmeve kombëtare të emergjencës në ditën e provimit.
Tre alarme u dërguan midis orës 08:00 dhe 15:00 sipas orës lokale të enjten, duke bërë që telefonat në të gjithë vendin të bien në unison - edhe nëse ishin në modalitetin e heshtur, dhe edhe nëse u përkisnin turistëve që përdorin roaming të të dhënave.
Telefonat nuk bien nëse ishin të fikur ose në modalitetin e aeroplanit.
Kjo ishte hera e parë që Koreja e Jugut përdori sistemin e saj kombëtar të alarmit për fatkeqësi për të kapur mashtruesit e provimit.
Kandidatët gjithashtu duhej të mbulonin kopsat e këmishave dhe xhaketave të tyre për të bllokuar çdo kamera të fshehur, dhe autoritetet kryen inspektime të syzeve. /Telegrafi/


































