Shqiptarët përkujtojnë sot, më 22 nëntor, Ditën e Alfabetit të Gjuhës Shqipe, një datë që shënon përmbylljen e një prej ngjarjeve më të rëndësishme në historinë e kombit: Kongresit të Manastirit, ku u hodhën themelet e një alfabeti të përbashkët për gjuhën shqipe.
I mbajtur nga 14 deri më 22 nëntor 1908, Kongresi mblodhi në Manastir 50 delegatë nga 26 qytete dhe shoqata shqiptare, si dhe 18 vëzhgues. Në këtë takim historik morën pjesë intelektualë, patriotë dhe përfaqësues të komuniteteve shqiptare nga treva të ndryshme.
Nën drejtimin e Mit’hat Frashërit, me Luigj Gurakuqin dhe Gjergj Qiriazin si nënkryetarë, delegatët diskutuan për nevojën e një alfabeti të vetëm, i cili do të kapërcente ndarjet që krijonte përdorimi i sistemeve të ndryshme të shkrimit dhe do të shërbente si një pikë bashkimi për shqiptarët.
Në mesin e pjesëmarrësve ishin figura të njohura të Rilindjes Kombëtare dhe kulturës shqiptare, si Gjergj Fishta, Ndre Mjeda, Sotir Peci, Fehim Zavalani dhe Parashqevi Qiriazi, e vetmja grua që mori pjesë në Kongres.
Pas diskutimeve, u vendos që gjuha shqipe të përdorte alfabetin latin, të përshtatur me tingujt e saj të veçantë. Ky vendim përbënte një hap vendimtar për njësimin e shkrimit shqip dhe krijimin e kushteve për zhvillimin e mëtejshëm të arsimit, botimeve dhe kulturës kombëtare.
Rëndësia e Kongresit të Manastirit shkoi përtej një vendimi gjuhësor. Njësimi i alfabetit ndihmoi në forcimin e identitetit dhe vetëdijes kombëtare, duke krijuar një bazë të rëndësishme për proceset që do të çonin drejt shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë më 28 nëntor 1912.
Dita e Alfabetit u shpall festë zyrtare në Shqipëri në vitin 2023 dhe përkujtohet gjithashtu në Kosovë, Maqedoninë e Veriut dhe në diasporën shqiptare.
Në Manastir, në godinën ku u zhvillua Kongresi, sot ndodhet Muzeu i Alfabetit Shqiptar, i cili ruan dokumente, fotografi dhe dëshmi historike të këtij momenti që ndryshoi rrjedhën e gjuhës dhe të kulturës shqiptare.













