Në konferencën e Partisë Laburiste të Mbretërisë së Bashkuar, të mbajtur në Liverpul në fund të shtatorit, kryeministri Andy Burnham shkoi atje ku asnjë kryeministër britanik nuk kishte guxuar të shkonte që prej largimit të Mbretërisë së Bashkuar nga Bashkimi Evropian: “Brexit-i ka shkaktuar më shumë dëme sesa të mira”, u tha ai delegatëve. Të nesërmen, ai shkoi edhe më tej: Britania mund të qëndrojë siç është, të anëtarësohet në unionin doganor ose në tregun e përbashkët, ose “të shkojë deri në fund”. Ndërsa tani, ai thotë se dëshiron një “diskutim të sinqertë” për lirinë e lëvizjes me BE-në.
Me një samit BE-Mbretëri e Bashkuar të planifikuar të mbahet më 20 nëntor, Burnham – elektorati i të cilit, Makerfield, i dha Brexit-it rreth 65% të votave, sipas vlerësimeve – ka hapur rrugën që zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme britanike të zhvillohen mbi premtimin për t’u ribashkuar me BE-në. Por a mundet vërtet Mbretëria e Bashkuar ta zhbëjë këtë shkëputje populiste?
Brexit-i fitoi falë një mekanizmi që unë e quaj “demokraci dinamike”. Së pari, ekzistonte një lëvizje: Partia e Pavarësisë së Mbretërisë së Bashkuar e Nigel Farage-it, e ndërtuar me durim gjatë dy dekadave, duke nisur nga tre vende në Parlamentin Evropian – pikërisht në institucionin nga i cili Farage dëshironte të largohej. Së dyti, kishte elita rebele: Boris Johnson dhe Michael Gove u shkëputën nga qëndrimi zyrtar i lidershipi të Partisë Konservatore për të drejtuar fushatën zyrtare “Voto Largohu”, duke i dhënë asaj një legjitimitet që Farage nuk e kishte pasur kurrë. Së treti, ekzistonte një institucion që bashkoi lëvizjen me elitat rebele: referendumi.
Burnham-i e njeh mirë këtë mekanizëm, sepse pikërisht ai e solli në pushtet. Si kryetar i Bashkisë së Mançesterit të Madh, atij i duhej që një figurë e brendshme e politikës së Uestminsterit (Josh Simons, një deputet i afërt me Keir Starmer-in) të hiqte dorë nga mandati i tij parlamentar, në mënyrë që Burnham-i të mund të kandidonte, si dhe mbështetja e një anëtari rebel të elitës (Wes Streeting, ish-ministër i Shëndetësisë) për garën e tij për kreun e Partisë Laburiste. A mund ta vërë ai tani në zbatim të njëjtin mekanizëm, por në drejtim të kundërt?
Në teori, opinioni publik po anon në favor të tij. Pothuajse 60% e britanikëve mendojnë tani se largimi nga BE-ja ishte një vendim i gabuar. Një sondazh i organizatës More in Common, i kryer në qershor, sugjeronte se vetëm 11 nga 632 zonat elektorale do të votonin për largimin nga BE-ja në një referendum të ri; madje, edhe në zonën elektorale të Clacton-it, ku Nigel Farage gëzon mbështetje, 52% e votuesve janë pro rikthimit në BE. Pendesa për Brexit-in, ndryshimet ndërmjet brezave dhe një botë gjithnjë e më e rrezikshme – me një Rusi agresive, një Kinë që po afirmon gjithnjë e më shumë ndikimin e saj dhe një Amerikë të pabesueshme – kanë luajtur të gjitha rolin e tyre.
Por sondazhet nuk përbëjnë një lëvizje: edhe përpara referendumit të vitit 2016, shumica e sondazheve nxirrnin përpara kampin që mbështeste qëndrimin në BE. Nëse një referendum tjetër do të mbahej sot, rikthimi në BE do të fitonte me një diferencë të konsiderueshme, me rreth 62% kundrejt 38%. Por, nëse pyet se sa fort i mbështesin njerëzit këto qëndrime, tabloja ndryshon: në një sondazh të gjerë të kryer nga Messina Group në shtator, vetëm 29% e të anketuarve e mbështesnin fuqimisht rikthimin në BE, ndërsa 19% e kundërshtonin fuqimisht atë.
Rikthimi në Bashkimin Evropian gëzon mbështetjen e një shumice të madhe dhe të një grupi të përkushtuar mbështetësish, por ende nuk përbën një lëvizje të mirëfilltë. Farage-it iu deshën më shumë se 20 vjet për ta shndërruar këtë prirje të opinionit publik në vota. Nëse Burnham e ka seriozisht rikthimin në BE, do t’i duhet e njëjta vendosmëri.
Ndërkohë, edhe elitat politike dhe institucionale po rreshtohen në mbështetje të tij. Raporti “Beyond Leave dhe Remain”, i publikuar në shtator nga Instituti Tony Blair, rekomandonte rikthimin në BE brenda një dekade. Në fillim të po atij muaji, ish-kancelari i Thesarit, George Osborne, bëri thirrje për rikthimin në unionin doganor, me synimin për të nxitur tregtinë, ndërsa në tetor Instituti për Kërkime të Politikave Publike argumentoi se anëtarësimi i plotë në BE duhet të jetë objektivi i Britanisë në periudhën afatmesme.
Por Blair dhe Osborne nuk janë rebelë: ata përfaqësojnë establishmentin e kampit pro qëndrimit në BE. Ajo që i nevojitet Burnham-it janë figura të ngjashme me Johnson-in dhe Gove-in – politikanë të njohur që dikur mbështetën largimin nga BE-ja, por që kanë ndryshuar qëndrim – dhe deri më tani nuk është shfaqur asnjë i tillë. Vëmendja duhet përqendruar te Partia Konservatore. Pasi ka humbur anëtarët e saj më radikalë, të cilët janë larguar drejt partisë Reform UK, konservatorët janë më të përçarë për çështjen e Evropës nga sa duket. Si parti që e ka rritjen ekonomike në qendër të programit të saj, Partia Konservatore do ta kishte të vështirë të argumentonte kundër një unioni doganor ose tregu të përbashkët, nëse Burnham do të propozonte një të tillë.
Deri më tani, konservatorët janë mjaftuar duke e kritikuar Burnham-in nga distanca. Por, nëse kjo çështje shtrohet seriozisht, pritet që të ketë lëvizje edhe brenda vetë partisë.
Së fundi, Burnham-it i nevojitet një institucion. Ekziston një konsensus i gjerë se vetëm një referendum mund ta rikthejë Britaninë në BE: çdo rrugë tjetër do të ishte, sipas fjalëve të Richard Tice nga partia Reform UK, “një përpjekje për të na rikthyer fshehurazi në Bruksel nga dera e pasme”. Megjithatë, edhe mbështetësit e rikthimit në BE nuk nxitojnë të bëjnë thirrje për një referendum dhe kjo për një arsye të fortë: një referendum do të kërkonte një lëvizje të mirëfilltë, të cilën Burnham-i ende nuk e ka.
Çfarë do të duhej për ta krijuar një lëvizje të tillë? Lidhja e çështjes së Evropës me standardet e jetesës, ashtu siç ka filluar të bëjë Burnham-i, është argumenti i duhur. Atij i duhen njerëz që ndryshojnë qëndrim, jo figura të mëdha të establishmentit: votues dhe politikanë që mbështetën largimin nga BE-ja dhe që tani janë të gatshëm ta pranojnë publikisht se kanë ndryshuar mendje.
Si kryeministër që përfaqëson një zonë elektorale ku shumica votoi për largimin nga BE-ja, Burnham-i është në një pozicion më të favorshëm se çdo kryetar tjetër i Partisë Laburiste para tij për ta mbrojtur këtë kauzë. Samiti BE-Mbretëri e Bashkuar i kësaj jave do të jetë prova e parë për të parë nëse ai mund ta shndërrojë Evropën në një projekt popullor dhe jo thjesht në një projekt të elitave.
Në anën tjetër të Kanalit të La Manshit, reagimi i presidentit francez Emmanuel Macron ndaj Burnham-it ishte: “Mirë se u ktheve!”. Ndërsa në korridoret e Parlamentit Evropian dhe të Komisionit Evropian po diskutohet për mundësinë e një marrëveshjeje të shpejtë të tipit “Zvicër-plus”. Por dera mund të mos mbetet e hapur përgjithmonë. Franca do të zgjedhë një president të ri pranverën e ardhshme dhe kandidatja kryesore në garë, Marine Le Pen, drejton një parti që nuk kërkon më largimin nga BE-ja, por riformësimin e saj si një Evropë e kombeve. Britania mund ta gjejë veten duke u përpjekur të rikthehet në një Bashkim Evropian që po lëviz drejt pikërisht atij vizioni për të cilin kishte bërë fushatë Farage.
Sidoqoftë, mësimi që mund të nxirret nga kjo përvojë shkon përtej kufijve të Britanisë. Kur ndodh një shkëputje populiste, tundimi është që ajo të zhbëhet nga lart, përmes gjykatave, teknokratëve ose institucioneve administrative. Por një qasje e tillë thjesht do të përforconte akuzën e populistëve se demokracia është një pazar i bërë nga elitat. Brexit-i u fitua nga një lëvizje dhe vetëm një lëvizje mund ta zhbëjë atë.
Marrë me autorizim nga Project Syndicate, 2016. Ripublikimi mund të bëhet vetëm me lejen e Project Syndicate. Can Brexit Be Reversed?






