Vendosni fjalën kyçe....

Inaugurohet sistemi “One Stop Shop” në Qafë Thanë, Rama: Do ta shtrijmë në të gjitha pikat kufitare


Kryeministri Edi Rama dhe homologu i tij i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, inauguruan sot në pikën kufitare të Qafë Thanës sistemin e integruar të kontrollit “One Stop Shop”, që synon lehtësimin e procedurave kufitare dhe lëvizjes së qytetarëve e mallrave mes dy vendeve.

Sistemi “Një ndalesë – Një kontroll” mundëson kryerjen e kontrolleve kufitare, doganore dhe të sigurisë në një pikë të vetme të përbashkët, duke shmangur procedurat e dyfishta. Në këtë mënyrë, qytetarët nuk do t’i nënshtrohen kontrolleve veçmas nga pala shqiptare dhe ajo maqedonase, por do të kryejnë procedurat në një pikë të integruar.

Gjatë ceremonisë, Rama e cilësoi këtë transformim si një hap të rëndësishëm në marrëdhëniet mes dy vendeve, duke theksuar se sistemi do t’u shërbejë miliona qytetarëve që kalojnë në këtë pikë kufitare. Ai paralajmëroi gjithashtu se modeli do të shtrihet edhe në pikat e tjera kufitare.

“Sot jemi në një moment jashtëzakonisht pozitiv në marrëdhëniet tona, sepse hidhet një hap konkret për këtë transformim, që ka një rëndësi të jashtëzakonshme për miliona njerëz që kalojnë këtë kufi. Ne kemi një shprehje në shqip: ‘Beso dhe kontrollo’. Deri tani, në këtë doganë kemi qenë te ‘beso dhe kontrollo’, ndërsa hapi tjetër është ‘beso-beso’, që të mos kemi më asnjë kontroll këtu, në rrugëtimin tonë të përbashkët për t’u bërë pjesë e Europës, pa kontrolle në kufijtë mes nesh”, u shpreh Rama.

Kryeministri theksoi se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë një sërë projektesh të përbashkëta për të çuar përpara bashkëpunimin rajonal, ndërsa falënderoi të gjithë ata që kontribuan në realizimin e sistemit të ri.

“Jemi në një proces bashkëpunimi, ku kemi shumë gjëra që duhet t’i bëjmë së bashku. Pa diskutim, njëra prej tyre është që të punojmë për ta çuar përpara projektin madhor, të rëndësishëm për rajonin. Falënderoj gjithë ata që punuan për të realizuar këtë transformim, i cili do t’u vlejë shumë njerëzve që kalojnë këtë doganë. Njëkohësisht, do të vazhdojmë edhe me pikat e tjera, për të pasur të njëjtin sistem”, deklaroi Rama.

Nga ana tjetër, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, vlerësoi marrëdhëniet mes dy vendeve dhe rëndësinë e projektit për forcimin e bashkëpunimit, turizmit dhe ndërlidhjes mes tyre.

“Është një kënaqësi e veçantë që po fillojmë një punim të tillë nëpërmjet vendosjes së një sistemi kontrolli ‘One Stop Shop’, që do të mundësojë një transport më të lehtë dhe një ndërlidhje më të lehtë mes dy vendeve. Do të përforcojmë lidhjet edhe në të gjitha pikat e tjera të kufirit. Kjo është një vlerë e shtuar për të dyja vendet”, u shpreh Mickoski.

Ai theksoi se sistemi i ri do të ndikojë pozitivisht edhe në turizëm, duke përmendur zonën përreth Liqenit të Ohrit, komunat e Ohrit dhe Strugës, si dhe zonat e tjera përgjatë liqenit dhe bregdetin shqiptar.

Në përfundim, Mickoski falënderoi ministrin e Punëve të Brendshme, doganierët dhe të gjithë kontribuuesit në realizimin e projektit, si dhe kryeministrin Edi Rama për bashkëpunimin.