Përplasja për himnin shqiptar në Pustec u rikthye në qendër të vëmendjes gjatë konferencës së kryeministrit Edi Rama me homologun e tij të Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, në Qafë Thanë.
Gazetari e pyeti drejtpërdrejt Mickoskin nëse ndiente nevojën t’u kërkonte falje shqiptarëve për atë që u konsiderua si mosrespektim i himnit shqiptar gjatë aktivitetit në Pustec.
“Ne jemi popull shumëetnik dhe i vlerësojmë të gjithë. Sot po festojmë 22 Nëntorin. Në lidhje me himnin, nuk e keni ndjekur aktivitetin deri në fund. Himni u zbatua. Të relaksohemi”, tha Mickoski.
Ndërkohë një moment tensioni u shënua pasi një gazetar nga Tetova akuzoi Ramën se nuk ka folur për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut.
Rama iu përgjigj se Maqedonia e Veriut është shtet sovran dhe se shqiptarët kanë partitë e tyre politike për t’u përfaqësuar.
“Ju as më keni parë e as do të më shikoni të bëj fushatë për ndonjë parti politike në Maqedoninë e Veriut”, tha Rama.
Ai shtoi se nuk duhet të kapërcehet kufiri i ndërhyrjes në çështjet e brendshme të një shteti tjetër.










