Brenda një muaji, 30 trafikantë shqiptarë droge u dënuan me burg në Mbretërinë e Bashkuar, sipas një shkrimi të The Sun që citon Top Channel. Ata morën gjithsej 126 vjet burg për vepra penale të Klasit A në shtator, ndërsa kostot për taksapaguesit u vlerësuan në 7.9 milionë paund. Po në atë muaj, 24 shtetas të tjerë shqiptarë u paraqitën para gjykatave të magjistratëve në Londër, të akuzuar për posedim lëndësh narkotike me qëllim furnizimi.
Gazeta thekson se pas arrestimeve vazhdon të ketë rekrutë, ndërsa shpërndarja e ofertave të punës kriminale po bëhet edhe përmes postimeve në TikTok. Një llogari në këtë platformë ka publikuar 135 reklama për trafikantë në qytete si Bristol, Londër, Reading, Blackburn, Wigan dhe Portsmouth. Videot shfaqin stiva parash, makina luksoze dhe të rinj me maska të zeza, si dhe emoji me flokë “dëbore”, të cilat përdoren si kod për kokainën.
Një nga reklamat ofron pagesë prej 2,100 paund në javë në Mançester, plus transport, karburant dhe akomodim falas. Një ekspert për krimin e organizuar shqiptar tha se përdoruesit mund të blejnë një gram kokainë për vetëm 40 paund dhe ta marrin atë në shtëpi në një shërbim që është quajtur “Deliveroo for drugs”.
Eksperti shtoi se kur një trafikant shqiptar deportohet pasi mbaron dënimin, vendi i tij në rrjetet kriminale zëvendësohet nga një tjetër shqiptar. Ai raportoi se në një burg në Uells një krah është i kushtuar tërësisht shtetasve shqiptarë dhe se çdo ditë kriminelë shqiptarë paraqiten para gjykatave. Sipas tij, shumica janë emigrantë të paligjshëm që kanë mbërritur me anije të vogla ose kanë paguar deri në 20,000 paund për t’u kontrabanduar në pjesën e pasme të kamionëve.
Eksperti përfundon se, sapo një trafikant burgoset, kartelet zëvendësojnë atë me një “ushtar” tjetër shqiptar, të rekrutuar përmes reklamave në TikTok ose në media të tjera sociale.
