Begaj feston Ditën e Alfabetit me Shoqatën “Tomorri”: Gjuha shqipe dhe kultura, shtylla të identitetit kombëtar

22 Nëntor 2026 | 12:36

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, festoi Ditën e Alfabetit  me veprimtarë të Shoqatës Atdhetare Kulturore “Tomorri”, me rastin e 120-vjetorit të krijimit të saj.

Në këtë ditë të rëndësishme për gjuhën dhe identitetin kombëtar, Kreu i Shtetit vlerësoi kontributin e shoqatës në ruajtjen dhe promovimin e historisë, kulturës dhe traditave shqiptare, duke theksuar rëndësinë e përcjelljes së kësaj trashëgimie te brezat e rinj. Presidenti vuri në dukje gjithashtu lidhjen historike të shoqatës me personalitete të shquara të Rilindjes Kombëtare, ndër të cilët Mid’hat Frashëri, kryetar i Kongresit të Manastirit.

Në fjalën e tij, Presidenti Begaj vlerësoi përkimin domethënës të 120-vjetorit të Shoqatës “Tomorri” me Ditën e Alfabetit, duke e cilësuar atë si një mundësi për të kujtuar përpjekjet e atdhetarëve shqiptarë për gjuhën, shkollën, kulturën dhe afirmimin e identitetit kombëtar.

“Përkon bukur që këtë 120-vjetor e festojmë në Ditën e Alfabetit, sepse Shoqata ‘Tomorri’ lindi në një kohë kur shqiptarët po bënin përpjekje të mëdha për gjuhën, shkollën, kulturën dhe afirmimin e identitetit të tyre kombëtar. Dy vjet më vonë, Kongresi i Manastirit do t’i jepte shqipes alfabetin e njësuar, duke kurorëzuar një punë që kishte nisur shumë më herët dhe që kishte bashkuar atdhetarë të ardhur nga krahina, besime dhe rryma të ndryshme të mendimit shqiptar.

Në atë periudhë, shoqatat patriotike, klubet, shkollat dhe botimet në gjuhën shqipe krijuan një hapësirë të jashtëzakonshme bashkëpunimi mes shqiptarëve, brenda vendit dhe në Diasporë. Rreth tyre u mblodhën njerëz që e kuptonin se puna për gjuhën dhe kulturën ishte, njëkohësisht, punë për vetëdijen dhe të ardhmen e kombit”, u shpreh Presidenti.

Kreu i Shtetit theksoi se shoqatat patriotike dhe kulturore kanë luajtur një rol të çmuar në historinë e vendit, duke krijuar hapësira bashkëpunimi mes shqiptarëve brenda dhe jashtë atdheut.

“Dita e Alfabetit na e kujton këtë ndoshta më qartë se çdo datë tjetër. Në Manastir shqiptarët nuk hoqën dorë nga dallimet mes tyre; ata u përbashkuan përmes gjuhës. Alfabeti i njësuar i dha shqipes një mjet të përbashkët shkrimi, ndërsa shkolla, libri, letërsia, studimi dhe puna e brezave i dhanë atij jetë dhe e kthyen gjuhën në një nga shtyllat më të forta të identitetit tonë kombëtar.

Në këto kushte, puna për njohjen dhe përcjelljen e trashëgimisë kulturore merr një rëndësi akoma më të madhe. Ajo duhet të na ndihmojë të njohim më mirë atë që kemi trashëguar, ta studiojmë me seriozitet dhe t’ua përcjellim brezave të rinj në një mënyrë që u flet edhe atyre, kohës së tyre dhe botës në të cilën jetojnë. Ju inkurajoj që në punën tuaj t’u jepni hapësirë të veçantë të rinjve, shkollave, hulumtimit dhe nismave për mbrojtjen e natyrës, sepse një traditë mbetet e gjallë kur brezi i ri e njeh, e çmon dhe zgjedh ta çojë përpara”, u shpreh Begaj.

Në përfundim, Presidenti uroi që Shoqata Atdhetare Kulturore “Tomorri” të vijojë me sukses misionin e saj, duke e shndërruar trashëgiminë e çmuar të kësaj treve në burim frymëzimi për të ardhmen.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Vodhën shuma të mëdha parash dhe sende me vlerë në një banesë në Durrës, arrestohen dy autorët

Dy persona, një 51-vjeçar dhe një 24-vjeçare, janë arrestuar nga Policia e Durrësit, pasi dyshohet se janë autorët e vjedhjes së një banese në Durrës....
12:16 | 22/11/2026

Protesta e së shtunës në Tiranë, Policia procedon 10 persona dhe vendos 13 gjoba

Policia e Tiranës ka proceduar penalisht këtë të diel 10 persona, pas përfshirjes së tyre në protestën e zhvilluar ditën e djeshme. Sipas njoftimit të...
12:08 | 22/11/2026

Spiropali: Nuk pendohem, nuk gjunjëzohem dhe nuk pres mëshirë prej askujt

Deputetja e Partisë Socialiste Elisa Spiropali ka reaguar këtë të dielë në rrjetin social Facebook pas mbledhjes së Asamblesë së PS-së, ku u përjashtua nga...
11:39 | 22/11/2026