Shqipëria dhe Kosova po diskutojnë zgjerimin e shërbimeve shëndetësore për pacientët në të dyja anët e kufirit, me synimin që trajtimet mjekësore të ofrohen sa më pranë vendbanimit. Ministrja e Shëndetësisë, Klodiana Spahiu, gjatë një vizite në Spitalin e Gjakovës, ku u takua me homologun e saj kosovar, Arben Vitia, foli për nevojën e forcimit të kapaciteteve spitalore në Shqipëri, duke përmendur konkretisht shërbimin e dializës në spitalin e Kukësit.
Aktualisht, në bazë të një marrëveshjeje mes dy vendeve, pacientët nga zonat kufitare të Shqipërisë mund të marrin shërbime mjekësore në spitalet e Kosovës. Spahiu falënderoi personelin mjekësor kosovar për kujdesin ndaj pacientëve nga Tropoja, Hasi dhe Kruma, ndërsa theksoi se edhe spitalet shqiptare duhet të forcojnë kapacitetet e tyre për të ofruar shërbime në mënyrë të ndërsjellë.
“Unë kam bërë një vizitë kohët e fundit në spitalin e Kukësit dhe në spitalin ditor të Hasit, kam parë aty nevojat që ato kanë dhe për këtë ju jam shumë mirënjohëse që ju keni realizuar që ato shërbimet e munguara që janë atje të merren në mënyrë të përkryer në spitalin e Gjakovës, të Prizrenit dhe në spitalin universitar të Prishtinës dhe ndoshta është momenti që edhe ne të forcojmë kapacitetet tona në disa shërbime, si për shembull shërbimin e dializës, në mënyrë që edhe ata pacientë që vijnë këtu ta marrin shërbimin në spitalin e Kukësit dhe anasjelltas”, tha Spahiu.
Nga ana e tij, ministri i Shëndetësisë së Kosovës, Arben Vitia, tha se dy vendet kanë rënë dakord të nisin sa më shpejt punën për marrëveshje konkrete, që do të zgjerojnë mundësitë e trajtimit për pacientët shqiptarë dhe kosovarë.
“Pres me padurim që përtej pjesës së shërbimeve të kemi edhe marrëveshje konkrete në të cilat u dakorduam që sa më shpejt të fillojmë dhe të punojmë në to, në mënyrë që këto marrëveshje t’ju shërbejnë sa më mirë qytetarëve shqiptarë në të dyja anët e kufirit”, u shpreh Vitia.
Gjatë takimit u diskutua edhe shkëmbimi i përvojave mes personelit mjekësor dhe zgjerimi i shërbimeve të specializuara, në mënyrë që pacientët të kenë më shumë mundësi trajtimi pa qenë nevoja të udhëtojnë larg vendbanimit.
Vizita në Kosovë ishte e para zyrtare jashtë vendit për Spahiun si ministre e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale.











Komente
Komento