Policia e Durrësit ka zbardhur vjedhjen e një banese në lagjen nr. 4 të qytetit, ku autorët dyshohet se kanë marrë shuma të mëdha parash, bizhuteri dhe sende luksoze. Në përfundim të operacionit të koduar “Objektivi”, janë arrestuar dy persona të dyshuar për përfshirje në ngjarje.
Në pranga kanë rënë A. R., 51 vjeç, banues në Durrës, dhe S. L., 24 vjeçe, banuese në Lushnjë.
Nga hetimet rezulton se 51-vjeçari dyshohet se ka hyrë në banesën e shtetasit A. G., ku ka marrë rreth 22 mijë euro, 800 mijë lekë, ora dore të markave të njohura, bizhuteri, parfume, çanta luksoze dhe objekte të tjera me vlerë.
Pas kryerjes së vjedhjes, ai dyshohet se i ka transportuar sendet në banesën e 24-vjeçares në Lushnjë. Sipas policisë, e reja ka qenë në dijeni të origjinës së tyre dhe dyshohet se ka bashkëpunuar me 51-vjeçarin.
Gjatë kontrolleve të ushtruara në banesën e saj, efektivët kanë gjetur dhe sekuestruar një pjesë të sendeve të vjedhura.
Ndërkohë, në banesën e të dyshuarit kryesor janë zbuluar maska, çelësa dhe veshje që dyshohet se janë përdorur gjatë realizimit të vjedhjes.
Autoritetet vijojnë hetimet për të lokalizuar pjesën tjetër të parave dhe sendeve të grabitura, si dhe për të verifikuar përfshirjen e mundshme të të arrestuarve në ngjarje të tjera të ngjashme.
Materialet procedurale i janë përcjellë Prokurorisë së Durrësit për veprime të mëtejshme, ndërsa dy të arrestuarit dyshohen për veprën penale “Vjedhja”, e kryer në bashkëpunim.
