Zona e Darsisë në Lushnjë njihet si një prej territoreve me sipërfaqen më të madhe të mbjellë me ullinj.
Për banorët e kësaj zone, kjo kulturë mbetet burimi kryesor i të ardhurave familjare.
Por, ndryshe nga vitet e kaluara, ky sezon nuk po rezulton i kënaqshëm për fermerët, për shkak të rënies së ndjeshme të çmimit të vajit të ullirit. Sipas tyre, çmimi aktual në treg nuk i kalon 450 lekë për liter, vlerë e cila nuk mbulon as shpenzimet e prodhimit.Fermerët shprehen se janë të detyruar ta shesin prodhimin direkt në fabrika.
Nëse e tërheqin vajin në shtëpi, shitja e tij bëhet thuajse e pamundur, pasi te blerësit lindin dyshime për cilësinë dhe përzierjen e produktit.
Nga kjo situatë, të vetmit që dalin të fituar janë konsumatorët. Ky çift bashkëshortësh ka udhëtuar nga Tirana drejt fshatit Ballagat për të siguruar rezervën e vajit të ullirit. Për ta, ky është i disati vit që zgjedhin këtë zonë, të tërhequr nga cilësia e lartë e produktit dhe mikpritja e banorëve vendas.









