Shoqata Atdhetare Kulturore “Tomorri” kremtoi 120-vjetorin e themelimit, në një aktivitet të mbajtur në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë. I pranishëm në aktivitet, Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, vlerësoi kontributin e shoqatës “Tomorri” në çështje të rëndësishme kombëtare, duke veçuar si veprimtarë të shquar Fan S. Nolin dhe Mit’hat Frashërin.

Kryetari i Shoqatës Atdhetare Kulturore “Tomorri”, Engjëll Musai, nderoi dy themeluesit e shoqatës, Nikolla Naçon dhe Jani Vreton, si shembuj të atdhedashurisë dhe sakrificës për kombin.

Ministri i Brendshëm, Ervin Demo, vlerësoi kontributin e rilindësve që punuan për krijimin e shtetit shqiptar, duke theksuar nevojën për çuarjen përpara të këtij misioni, 120 vjet më vonë.

Gjatë ceremonisë u akorduan certifikata mirënjohjeje për mjekë nga treva e Tomorrit, ndërsa ministrja e Shëndetësisë, Klodiana Spahiu, vlerësoi nismën për nderimin e misionit të shenjtë të mjekut.

Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, e cilësoi 22 Nëntorin një ditë të shenjtë për gjuhën dhe historinë e popullit tonë, duke shtuar se Zoti e ka dashur Shqipërinë dhe e ka bekuar edhe Malin e Tomorrit.

I pranishëm në aktivitet ishte edhe Presidenti i Hysenbelliu Group, z. Irfan Hysenbelliu, i cili akordoi çmime për mjekët e përzgjedhur.

120 vjet pas themelimit, Shoqata “Tomorri” mbetet një simbol i përkushtimit atdhetar, i ruajtjes së vlerave kombëtare dhe i trashëgimisë kulturore shqiptare.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb