Deri ku arrin ndikimi i shtetit në procesin gjyqësor të Hagës?

Katër ish-drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës po i bëhen gati për një përballje tjetër ligjore në Hagë, kësaj radhe me synim kundërshtimin e vendimit që u shqiptoi gjithsej 81 vjet burg për krime lufte.

Në këtë rrugë, pritet që ata të kenë edhe përkrahjen e institucioneve më të larta të Kosovës, të cilat kanë filluar hartimin e një strategjie për t’i dalë në ndihmë gjatë fazës së apelimit.

Të lidhura

None found

Objektivi i deklaruar është përmbysja e aktgjykimit.

Mirëpo, çfarë fuqie reale ka një shtet për të ndikuar në përfundimin e një procesi gjyqësor? Ku përfundon përkrahja e ligjshme dhe ku nis presioni politik?

Specialistët e së drejtës penale ndërkombëtare, me të cilët bisedoi Radio Evropa e Lirë, vlerësojnë se ndihma financiare dhe ekspertiza juridike mund të sjellin dobi, por aftësia e shtetit për të ndikuar në rezultatin përfundimtar mbetet e kufizuar.

Ata veçojnë disa çështje që mund të kontestohen në apel, por shprehin rezerva ndaj orvatjeve për të ndryshuar ligjin mbi të cilin mbështetet Gjykata Speciale.

Një strategji shtetërore me shumë pak hollësi

Më 16 shtator, Dhomat e Specializuara të Kosovës i shpallën fajtorë për krime lufte katër ish-udhëheqës të UÇK-së: ish-presidentin Hashim Thaçi, ish-kryetarët e Kuvendit Jakup Krasniqi dhe Kadri Veseli, si dhe ish-deputetin Rexhep Selimi.

Thaçit dhe Krasniqit iu dhanë nga 25 vjet heqje lirie, Veselit 18 vjet dhe Selimit 13 vjet. Të katër u liruan nga akuzat për krime kundër njerëzimit.

Ekipet mbrojtëse e kundërshtuan vendimin dhe njoftuan se do ta apelojnë atë. Afati për dorëzimin e njoftimeve të apelit është 27 nëntori.

Ndërkohë, Qeveria e Kosovës krijoi një grup pune, nën drejtimin e zëvendëskryeministrit Glauk Konjufca, për të bashkërenduar mbështetjen juridike, institucionale dhe diplomatike gjatë kësaj faze të procesit.

Nisma mori përkrahje edhe nga presidentja Justina Shiroka Pula, e cila u takua me grupin e punës, u informua për ecurinë e strategjisë dhe mbështeti koordinimin e veprimeve institucionale.

Sidoqoftë, përmbajtja konkrete e strategjisë mbetet në pjesën më të madhe e panjohur.

Konjufca bëri të ditur se puna e grupit do të kryhet në konfidencialitet, për shkak të natyrës së ndjeshme të çështjeve që trajtohen.

“Qëllimi është që ta fitojmë rastin në procesin e apelit”, deklaroi ai, duke nënvizuar se diskutimet dhe synimet e grupit janë delikate si në aspektin vendor, ashtu edhe në atë ndërkombëtar.

Radio Evropa e Lirë i kërkoi Konjufcës sqarime për mënyrën e funksionimit të grupit dhe mbështetjen që synon të ofrojë, por nuk mori përgjigje.

Pa përgjigje mbetën gjithashtu pyetjet drejtuar avokatit të Thaçit, Lluka Mishetiq, lidhur me përgatitjet për apel, argumentet që mund të përdoren dhe rolin eventual të Qeverisë së Kosovës.

Në mungesë të këtyre hollësive, mbetet e paqartë se si angazhimi institucional do të shndërrohet në ndihmë konkrete për skuadrat mbrojtëse.

Ndihma financiare e pranueshme, presioni politik jo

Përfshirja e shteteve në mbështetjen e shtetasve apo ish-zyrtarëve të tyre gjatë proceseve penale ndërkombëtare nuk është dukuri e rrallë. Megjithatë, ekspertët bëjnë një ndarje të qartë mes asistencës juridike dhe orvatjeve për të ndikuar politikisht në një gjykim.

William Schabas, profesor i së Drejtës Ndërkombëtare në Universitetin Middlesex të Londrës, thotë se institucionet e Kosovës mund të japin kontribut financiar për të siguruar mbrojtje cilësore ligjore.

“Nëse Qeveria e Kosovës dëshiron të kontribuojë financiarisht për t’i ndihmuar të pandehurit të angazhojnë ekipet e tyre juridike, kjo nuk do të ishte e pazakontë. Por, nëse synon forma të tjera përfshirjeje, si fushata apo lobim, nuk mendoj se kjo do të ishte e pranueshme”, thotë Schabas për programin Expose të Radios Evropa e Lirë.

Një përkrahje e tillë mund t’u krijojë mundësi ekipeve mbrojtëse të angazhojnë ekspertë, të analizojnë prova dhe të përgatisin argumente për apelin. Por kjo nuk i jep shtetit të drejtën të përcaktojë strategjinë e mbrojtjes apo të ushtrojë ndikim mbi gjyqtarët.

Carsten Stahn, profesor i së Drejtës Penale Ndërkombëtare në Universitetin Leiden të Holandës, thekson se përvoja nga gjyqet e mëparshme ndërkombëtare tregon se ndikimi i shteteve në rezultatet gjyqësore ka qenë i vogël.

“Sepse, ose keni argumente të forta juridike që mbrojtja mund t’i paraqesë para gjykatës, ose nuk i keni. Dhe nëse nuk i keni, fakti që një shtet ju mbështet, nuk do të thotë se gjykata do ta ndryshojë domosdoshmërisht arsyetimin apo qëndrimin e saj juridik”, thotë ai për Exposenë.

Sipas Stahnit, është thelbësore që avokatët të ruajnë pavarësinë e tyre në përfaqësimin e klientëve.

“Shteti nuk mund të ushtrojë trysni politike mbi mbrojtjen, duke i diktuar asaj se si t’i ndërtojë argumentet juridike. Sepse, detyrimi i avokatëve është ndaj klientëve të tyre dhe kjo nuk mund të ndikohet nga shteti”, nënvizon ai.

Çfarë tregojnë shembujt nga Kroacia?

Kufijtë e ndikimit shtetëror janë vënë në provë edhe në procese të tjera për krime lufte në ish-Jugosllavi.

Një rast i tillë është ai i Jadranko Përlliqit dhe pesë ish-zyrtarëve të tjerë politikë e ushtarakë të kroatëve të Bosnjës, të cilët u gjykuan nga Tribunali Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë.

Në aktgjykim përfshiheshin edhe konstatime për rolin e zyrtarëve të lartë të Kroacisë, mes tyre presidenti i atëhershëm Franjo Tugjman, në një ndërmarrje të përbashkët kriminale.

Edhe pse këta zyrtarë nuk ishin të pandehur, konstatimet kishin peshë politike dhe historike për Kroacinë.

Për këtë arsye, Zagrebi kërkoi të ndërhynte në procedurën e apelit për të kontestuar gjetjet që lidheshin me shtetin kroat.

Por Tribunali e hodhi poshtë kërkesën, duke theksuar se objekti i procesit ishte përgjegjësia penale e individëve, jo e shtetit.

Situata e Kosovës është ndryshe, pasi institucionet e saj nuk kanë njoftuar ndonjë kërkesë për t’u bërë palë në procedurën e apelit, por kanë paralajmëruar një strategji për mbështetjen e të dënuarve.

Megjithatë, për Stahnin, ky rast dëshmon kufijtë e ndikimit që mund të ketë një shtet në një proces gjyqësor.

Përvoja kroate ofron edhe një shembull tjetër, i cili përfundoi krejt ndryshe.

Gjenerali Ante Gotovina fillimisht ishte dënuar me 24 vjet burg për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, të lidhura me operacionin ushtarak “Stuhia” të vitit 1995.

Sidoqoftë, në vitin 2012, Dhoma e Apelit e Tribunalit e përmbysi dënimin dhe e shpalli të pafajshëm.

Në mbrojtjen e tij u përfshinë edhe ekspertë juridikë dhe ushtarakë.

Mathias Holvoet, ligjërues i së Drejtës Penale Ndërkombëtare në Universitetin e Amsterdamit, e sjell këtë rast si dëshmi të rëndësisë që mund të ketë ekspertiza e specializuar gjatë apelimit të një aktgjykimi kompleks.

“Nëse do t’i këshilloja institucionet e Kosovës, do t’u thosha të angazhojnë ekspertët më të mirë në fusha të ndryshme juridike. Për shembull, për ndërmarrjen e përbashkët kriminale, krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit, por edhe ekspertë të provave, që mund të vlerësojnë nëse ato i përmbushin standardet e nevojshme për një dënim”, thotë Holvoet për Exposenë.

Megjithatë, përfundimi i rastit Gotovina nuk garanton një rezultat të ngjashëm në procesin kundër katër ish-krerëve të UÇK-së.

Secili apel shqyrtohet mbi bazën e aktgjykimit përkatës dhe gabimeve të pretenduara në zbatimin e ligjit apo në vlerësimin e fakteve.

Ku mund të kontestohet aktgjykimi?

Përtej angazhimit institucional, çështja vendimtare për fatin e katër të dënuarve është se cilat pjesë të aktgjykimit mund të kundërshtohen me sukses.

Ekspertët me të cilët bisedoi Radio Evropa e Lirë veçojnë dy fusha ku mund të përqendrohet beteja ligjore: përgjegjësia përmes ndërmarrjes së përbashkët kriminale dhe baza ligjore për caktimin e dënimeve.

Ndërmarrja e përbashkët kriminale është një koncept i së drejtës penale ndërkombëtare, sipas të cilit një person mund të mbajë përgjegjësi penale edhe për krime që nuk i ka kryer drejtpërdrejt, nëse vërtetohet pjesëmarrja e tij në një qëllim të përbashkët kriminal dhe plotësohen kushtet e tjera ligjore.

Pikërisht mbi këtë koncept u mbështet gjykata në përcaktimin e përgjegjësisë penale të katër ish-udhëheqësve të UÇK-së.

Sipas Holvoetit, një prej çështjeve që mbrojtja mund të sfidojë është nëse provat e paraqitura gjatë gjykimit e mbështesin mjaftueshëm përfundimin për ekzistencën e një qëllimi të përbashkët kriminal dhe lidhjen e të dënuarve me të.

“Është e qartë se janë kryer krime, por çështja kryesore është lidhja e tyre me ndërmarrjen e përbashkët kriminale”, thotë ai.

“Pikërisht mbi këtë bazë do të përpiqesha ta kundërshtoja aktgjykimin, pra nëse ka ekzistuar një qëllim i përbashkët. Sepse, për një ndërmarrje të përbashkët kriminale, duhet të ekzistojë një qëllim i tillë”.

Në praktikë, mbrojtjes do t’i duhej të identifikonte gabime konkrete në arsyetimin juridik ose në vlerësimin e provave, të cilat mund të kenë ndikuar në përfundimin e trupit gjykues.

Edhe Stahn sheh hapësirë për argumente rreth interpretimit të ndërmarrjes së përbashkët kriminale, por veçon edhe një çështje tjetër: mënyrën se si janë caktuar dënimet.

“Çështja e dytë është mënyra se si gjyqtarët i kanë përcaktuar dënimet dhe cili ligj duhet të shërbejë si bazë për to. A kanë të pandehurit të drejtë të dënohen sipas ligjit që ishte në fuqi në kohën e kryerjes së veprave, apo përparësi ka korniza ligjore e Dhomave të Specializuara?”, pyet ai.

Kjo çështje lidhet me një parim themelor të së drejtës penale: ligjshmërinë e dënimit dhe zbatimin e dispozitave penale në kohë.

Argumentet mbi ligjin e zbatueshëm dhe masën e dënimit mund të jenë të rëndësishme për mbrojtjen edhe nëse Dhoma e Apelit nuk e ndryshon përfundimin për fajësinë.

Megjithatë, mbetet të shihet se cilat argumente konkrete do të paraqesin ekipet mbrojtëse dhe si do t’i vlerësojnë ato gjyqtarët.

Nga ndryshimet ligjore te një nismë e re

Ndërsa mbrojtja përgatitet të kontestojë aktgjykimin në Hagë, në Prishtinë po zhvillohet edhe një përpjekje tjetër që synon ndryshimin e kornizës ligjore mbi të cilën funksionon Gjykata Speciale.

Por kjo nismë, e shoqëruar me mospajtime politike dhe kundërshtime ndërkombëtare, ka marrë një drejtim të ri.

Më 19 nëntor, kryeministri Albin Kurti dhe ushtruesja e detyrës së kryetares së Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ranë dakord që ndryshimet të procedohen përmes një projektligji të ri, në vend që të votohet sërish teksti i miratuar nga Kuvendi më 6 tetor.

Marrëveshja erdhi pas disa javësh paqartësish rreth ligjit, të cilin presidentja Justina Shiroka Pula e kishte kthyer për rishqyrtim më 22 tetor, me kërkesë të vetë PDK-së, që e kishte iniciuar atë.

Ndryshimet e miratuara në tetor parashihnin, ndër të tjera, kufizimin e juridiksionit të Gjykatës, ngushtimin e periudhës kohore dhe territorit për të cilin ajo mund të gjykojë, si dhe uljen e dënimit maksimal me burgim në 15 vjet.

Ato përfshinin edhe mundësinë e vuajtjes së dënimeve në Kosovë.

Kurti njoftoi se drafti i parë i projektligjit të ri pritet të përgatitet nga një ekip ekspertësh gjatë javës së ardhshme, ndërsa Çitaku tha se synimi është që ai të jetë juridikisht më i qëndrueshëm dhe më i zbatueshëm.

Por, përtej marrëveshjes mes tyre, mbetet e paqartë nëse ndryshimet ligjore mund të ndikojnë në procesin gjyqësor në Hagë.

Ekspertët e intervistuar nga Radio Evropa e Lirë shprehin rezerva për përpjekjet që synojnë kufizimin e kompetencave të Gjykatës.

Stahn paralajmëron se ndryshimet e njëanshme të juridiksionit të saj mund të dëmtojnë perceptimin për sundimin e ligjit në Kosovë.

Schabas, nga ana tjetër, vlerëson se nisma mund të ketë pasoja juridike dhe diplomatike, pa sjellë domosdoshmërisht ndonjë përfitim për katër të dënuarit.

Sipas tij, përpjekjet për ndryshimin e ligjit duket se u shërbejnë më shumë qëllimeve të politikës së brendshme sesa një rezultati konkret juridik.

Ai kujton se të dënuarit mbeten nën autoritetin e Gjykatës në Hagë, pavarësisht vendimeve që mund të merren në Prishtinë.

“Të burgosurit janë nën kontrollin e Gjykatës dhe Kosova nuk ka mundësi ta ndryshojë këtë”, thotë Schabas.

Kush do ta kishte fjalën e fundit?

Dhomat e Specializuara janë pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, por funksionojnë në Hagë, me gjyqtarë dhe prokurorë ndërkombëtarë.

Ato janë themeluar në bazë të ndryshimeve kushtetuese dhe një ligji të veçantë, në kuadër të zotimeve ndërkombëtare që ka marrë Kosova.

Kjo strukturë e pazakontë ngre dilema për mënyrën se si do të trajtoheshin ndryshimet ligjore nëse ato do të kontestoheshin.

A do ta kishte fjalën e fundit Gjykata Kushtetuese në Prishtinë apo Dhoma e Specializuar e Gjykatës Kushtetuese në Hagë?

Dhe, nëse një ligj i ri do të hynte në fuqi, a do të mund të zbatohej edhe ndaj aktgjykimeve të shpallura para miratimit të tij?

Ekspertët e intervistuar nga Radio Evropa e Lirë nuk japin përgjigje të prera për këto çështje.

As Dhomat e Specializuara nuk iu përgjigjën kërkesës së Radios Evropa e Lirë për sqarime.

Përderisa përmbajtja e projektligjit të ri ende nuk dihet, mbetet e paqartë edhe nëse ai mund të ketë ndonjë efekt praktik në procesin e apelit.


Shtuar më 22.11.2026 13:21

Quantcast
grandpashabet girişBursa Escortgrandpashabet girişcasibomgrandpashabetgrandpashabetgrandpashabetgrandpashabetgrandpashabetgrandpashabet güncel girişdeneme bonusucasinofast güncel girişstarzbetonline notarymarsbahishttps://centromedicoflorence.com/cookies-service/betkommarsbahisultrabetgrandpashabetTürk İfşajojobet girişjojobetcasibombahis siteleribahis siteleriGrandpashabet girişjojobetsahabet girişjojobetjokerbetjojobet