Një moment tensioni është regjistruar gjatë konferencës së përbashkët për shtyp mes kryeministrit Edi Rama dhe homologut të tij maqedonas, Hristijan Mickoski, në Qafë Thanë.
Një gazetar nga Tetova i është drejtuar Ramës me akuza se nuk ka folur për çështjet që shqetësojnë shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, duke nxitur reagimin e kryeministrit shqiptar.
Rama iu përgjigj se Maqedonia e Veriut është një shtet sovran dhe se shqiptarët atje kanë partitë e tyre politike për t’u përfaqësuar.
“Ju as më keni parë e as do të më shikoni të bëj fushatë për ndonjë parti politike në Maqedoninë e Veriut”, deklaroi Rama.
Ndërkohë, gjatë së njëjtës konferencë, Mickoski u pyet nëse duhet t’u kërkojë falje shqiptarëve për incidentin në Pustec, ku u ngritën shqetësime për mosrespektimin e himnit shqiptar.
Kryeministri maqedonas mohoi se himni ishte lënë pa u ekzekutuar, duke pretenduar se ceremonia duhej ndjekur deri në fund.
“Ne jemi popull shumëetnik dhe i vlerësojmë të gjithë. Sot po festojmë 22 Nëntorin. Në lidhje me himnin, nuk e keni ndjekur aktivitetin deri në fund. Himni u zbatua. Të relaksohemi”, u shpreh Mickoski.












