Igor Dodik, djali i liderit të Aleancës së Socialdemokratëve të Pavarur (SNSD), Milorad Dodik, është propozuar për kryeministër të Republikës Srpska, një prej dy entiteteve të Bosnjë-Hercegovinës.

Vendimi u shpall sot në Banja Luka nga presidenti i Republikës Srpska, Savo Miniç, pas konsultimeve me përfaqësuesit e partive të koalicionit qeverisës. Igor Dodik, i cili mban postin e sekretarit organizativ të SNSD-së, duhet të formojë kabinetin e ri dhe të sigurojë mbështetjen e Asamblesë Kombëtare për t'u bërë kryeministër.

Milorad Dodik kishte konfirmuar të premten se kryesia e partisë kishte zgjedhur kandidatin për kryeministër, por pa e bërë publik emrin. Ai kishte deklaruar se kandidati do të kishte mbështetjen e plotë të SNSD-së dhe liri në përzgjedhjen e ministrave.

Më herët, Dodik e kishte cilësuar djalin e tij si “emrin më premtues në SNSD”, duke theksuar se ai kishte marrë numrin më të madh të votave individuale brenda partisë. Megjithatë, kishte shprehur shqetësimin se situata e vështirë politike mund ta dëmtonte karrierën e tij.

Kush është Igor Dodik?

I lindur në vitin 1989 në Banja Luka, Igor Dodik nuk ka mbajtur më parë poste të larta publike, por ka qenë i pranishëm në jetën politike, ekonomike dhe sportive të Republikës Srpska.

Në shkurt 2024 u emërua sekretar organizativ i SNSD-së, ndërsa në maj të po atij viti mori drejtimin e shtabit zgjedhor të partisë. Ai është gjithashtu menaxher i përgjithshëm i klubit të basketbollit Igokea dhe ka mbajtur postin e drejtorit të Ligës ABA.

Emri i tij lidhet me disa biznese në Republikën Srpska. Në tetor 2023, Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione ndaj tij dhe motrës së tij, Gorica Dodik, si edhe ndaj kompanive ku ata ishin pronarë ose bashkëpronarë.

Mes bizneseve të përmendura ishin “Fruit Eco”, “Global Liberty”, “Agrovoće” dhe restoranti “Agape”, në pronësinë e të cilit përfshihej edhe bashkëshortja e Igorit, Ivana.

Sipas Departamentit amerikan të Thesarit, këto kompani përfitonin mbështetje publike përmes trajtimit preferencial, për shkak të lidhjeve me familjen Dodik. Vlera e bizneseve ishte përllogaritur në disa milionë.

Autoritetet amerikane kishin ngritur gjithashtu shqetësimin se përfshirja gjithnjë e më e madhe e Igorit dhe Goricës në politikë dhe biznes, që nga viti 2021, po e bënte Republikën Srpska të ngjante më shumë me një biznes familjar të Dodikëve sesa me një entitet politik të Bosnjë-Hercegovinës.

Sanksionet u zgjeruan edhe gjatë viteve 2024 dhe 2025, por në fund të tetorit 2025 familjarët e Dodikut u hoqën nga lista e zezë amerikane. Departamenti amerikan i Shtetit e lidhi vendimin me masat e fundit të Asamblesë Kombëtare të Republikës Srpska, të cilat, sipas tij, duhej të përmirësonin stabilitetin e Bosnjë-Hercegovinës.

Në prill 2026, Igor Dodik tërhoqi vëmendjen edhe për vizitën e Donald Trump Jr., djalit të presidentit amerikan, në Banja Luka. Ai deklaroi se vizita ishte organizuar me ftesën e tij personale dhe mbi baza miqësore, duke shprehur kënaqësinë për mundësinë e ardhjes së investitorëve.

Vetë Igor Dodik, në një intervistë të dhënë në shtator për Klix.ba, kishte pranuar se mbiemri i tij i kishte sjellë njohje dhe mundësi për t'u përfshirë herët në diskutime politike. Megjithatë, ai kishte deklaruar se po të donte ta keqpërdorte mbiemrin, do ta kishte shfrytëzuar për të marrë më shpejt një post në pushtetin ekzekutiv.

Qeveria e re pritet në dhjetor

Përveç Igor Dodikut, ditët e fundit si kandidatë të mundshëm për kryeministër ishin përmendur edhe Zoran Stevanoviç, ministër i Transportit dhe Lidhjeve dhe ish-kryetar i Bashkisë së Zvornikut, si dhe Ana Trishiç-Babiç, drejtoreshë e Zyrës për Bashkëpunim Ndërkombëtar të Republikës Srpska.

Milorad Dodik ka deklaruar se qeveria e ardhshme duhet të jetë më e re në moshë, më profesionale dhe më efikase, duke ruajtur një pjesë të kuadrove me përvojë.

Savo Miniç kishte paralajmëruar më herët se Republika Srpska pritet të ketë qeverinë e re deri në mesin e dhjetorit. Sipas rregullave kushtetuese, Asambleja Kombëtare ka 40 ditë kohë nga propozimi i kandidatit për të zgjedhur qeverinë.

Parlamenti i Republikës Srpska u konstituua më 16 nëntor, pas zgjedhjeve të përgjithshme të 4 tetorit në Bosnjë-Hercegovinë. Nenad Stevandiç u rizgjodh kryetar i parlamentit.

SNSD-ja e Milorad Dodikut fitoi numrin më të madh të votave në Republikën Srpska dhe me propozimin e Igor Dodikut vijon procesin e formimit të qeverisë së re.