Kanceri i qafës së mitrës po shfaqet në mosha gjithnjë e më të reja. Në Maqedoni, pacientja më e re e diagnostikuar me këtë sëmundje është vetëm 18 vjeçe.
Mjekët paralajmërojnë se infeksioni me virusin HPV mund të qëndrojë në organizëm për shumë vite pa shfaqur asnjë simptomë, ndërsa infeksioni i vazhdueshëm me lloje të rrezikshme të virusit mund të çojë në zhvillimin e kancerit të qafës së mitrës.
Të lidhura
None found
Me rastin e Ditës Botërore për Eliminimin e Kancerit të Qafës së Mitrës, Asociacioni Maqedonas i Gjinekologëve dhe Obstetërve (MAGO) u bëri thirrje prindërve që të vaksinojnë vajzat dhe djemtë kundër HPV-së, si dhe të kryejnë rregullisht kontrolle gjinekologjike dhe skrining.
Sipas profesionistëve shëndetësorë, vaksinimi përpara fillimit të aktivitetit seksual është një nga masat më të rëndësishme parandaluese. Vaksina mbron nga llojet më të rrezikshme të HPV-së, të cilat mund të shkaktojnë kancer jo vetëm te gratë, por edhe te burrat.
Në Maqedoni, që nga viti 2024 aplikohet vaksina nëntëvalente kundër HPV-së, e cila ofron mbrojtje ndaj nëntë llojeve të virusit, shtatë prej të cilave janë me rrezik të lartë.
Njëkohësisht, mjekët po diskutojnë mundësinë e zgjerimit të vaksinimit falas deri në moshën 26-vjeçare dhe u bëjnë thirrje prindërve që të mos e neglizhojnë imunizimin e fëmijëve të tyre.
Ekspertët theksojnë se përmes një vaksinimi më të gjerë dhe zbulimit të hershëm të ndryshimeve parakanceroze, kanceri i qafës së mitrës mund të kthehet në një sëmundje që i përket së shkuarës.








