Në Qafë Thanë, kufirin mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, duke filluar nga sot, qytetarët do t’i nënshtrohen një pike të vetme kontrolli. Sistemi i ri i kontrollit kufitar me një ndalesë që lehtëson kalimin e qytetarëve dhe mallrave mes dy vendeve u inaugurua këtë të diel, ku të pranishëm ishin kryeministri Edi Rama dhe homologu maqedonas Hristijan Mickoski. “One Stop Shop” shmang procedurat e dyfishta, ndërsa kryeministri Edi Rama tha se ky sistem do t'u vlejë miliona qytetarëve që kalojnë në këtë pikë kufitare, teksa shtoi se synim është shtrirja edhe në pikat e tjera kufitare.