Ditën e sotme, gjatë konferencës për mediat, në aktivitetin e përurimit të pikës së përbashkët kufitare “One Stop Shop” në Qafë Thanë, ku morën pjesë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dhe ai i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, shpërtheu një përplasje mes Ramës dhe një gazetari shqiptar.
Kryeministri Edi Rama është përplasur me një gazetar shqiptar në Maqedoninë e Veriut, i cili i tha se nuk është interesuar për shqiptarët, ndërkohë që nga ana tjetër, ai ka krijuar miqësi me kryeministrat e RMV-së.
Të lidhura
None found
“Ju shohim shpesh që bëni miq kryeministrat në Maqedoni. Keni mik Ali Ahmetin, shpesh bëni edhe me Mickoskin, por jo shqiptarët. Ka shumë raste ku nuk keni reaguar. Asnjëherë nuk jeni interesuar për shqiptarët në vendin tonë, nuk e çelni gojën. Ju i keni miq kryeministrat apo do bëni miq shqiptarët?”, pyeti gazetari.
“Dua të them disa gjëra që shpresoj t’i dëgjosh siç i dëgjova unë me respekt. Së pari, Maqedonia e Veriut është shtet sovran, ku shqiptarët janë popullsi shtetformuese dhe kanë të gjitha rrugët dhe mundësitë të përfaqësohen. Kështu që unë nuk mendoj se i ndihmon marrëdhënies vëllazërore mes dy shteteve asnjë ndërhyrje e kryeministrave përkatës në punët e brendshme të shtetit tjetër. Çështjet që ju prekët janë çështje që trajtohen dhe duhet të trajtohen gjithmonë nga Republika e Maqedonisë së Veriut. Shqiptarët kanë mjaftueshëm parti politike dhe mendoj se kanë më shumë se ç’duhet, për t’i përfaqësuar dhe për të shpalosur të gjitha gjërat dhe të gjitha opinionet.”, u shpreh Rama.
Kryeministri shtoi se nuk e kanë parë dhe nuk do ta shohin duke bërë fushatë për asnjë parti politike në Maqedoninë e Veriut. Ai theksoi gjithashtu se as politikanët shqiptarë të këtij vendi nuk bëjnë fushatë në Tiranë apo nuk shfaqen në krah të tij për deklarata politike.
“Ju as më keni parë mua dhe as do më shihni ndonjëherë të bëj fushatë për asnjë parti politike këtu në Maqedoninë e Veriut. Dhe as keni parë ndonjëherë që politikanët shqiptarë këtu të bëjnë me mua deklarata dhe fotografi për fushatën këtu. Patjetër, ne kemi komunikim, të gjithë përfaqësuesit politikë të Maqedonisë janë të mirëpritur në Tiranë. Jemi të gatshëm për diskutime mbi mbarësinë e punës së përbashkët, por ka një kufi që as do e shihni ta kapërcej, atë që i takon institucioneve shtetërore dhe atë që i takon shqiptarëve si një bashkësi që kanë të drejtë të ndërveprojnë me njëri-tjetrin pavarësisht kufijve. Unë nuk besoj se është çudi që të kesh mik edhe Mickoskin dhe Ali Ahmetin, është diçka pozitive. Unë besoj se miqësitë në këto marrëdhënie janë vetëm vlerë e shtuar dhe nuk duhet të jenë problem për asnjë njeri. “, tha Rama.
Në fund, Rama e ironizoi teksa tha:
“Nuk mendoj se kam një zgjedhje për të bërë ose mik me kryeministrin e RMV ose mik me shqiptarët. Kjo më duket skandaloze si ide dhe jo më pastaj të kthehet në pyetje. Fakti që ti e merr mikrofonin me zor, bërtet dhe ne të përgjigjemi me buzëqeshje dhe ty nuk po të cojnë në izolim, tregon se nuk jeton në një vend jo demokratik. Jam i sigurt se nuk do të të ndodhë. Problemin e ke në kokën tende dhe jo në RMV”, deklaroi Rama.







