“Faleminderit për mesazhet”/ Harry Kane operohet me sukses në kavilje, të paktën 3 muaj jashtë fushave Jamal Musiala është sërish në qendër të shqetësimit te Bayern Munich. Sipas gazetës gjermane Bild, mesfushori ofensiv i përfaqësueses gjermane pësoi të hënën e kaluar një tjetër episod humbjeje të vetëdijes, si pasojë e çrregullimit neurologjik nga i cili ai vuan. Ky është rasti i dytë i përkeqësimit të gjendjes së tij që nga kolapsi i pësuar gjatë një ndeshjeje miqësore në mesin e muajit gusht.
Rikthimi i problemeve shëndetësore ndodhi pikërisht ditën kur këshilli mbikëqyrës i klubit u mblodh për të diskutuar mbi situatën e futbollistit ofensiv. Vështirësitë për të gjetur një trajtim mjekësor që mban nën kontroll sëmundjen pa ndikuar në rendimentin e tij sportiv vijojnë të përbëjnë një sfidë të madhe për departamentin mjekësor të gjashtë herë kampionëve të Evropës. E gjithë kjo ka shtuar shqetësimin në drejtuesit e klubit bavarez, të cilët kanë habitur me disa deklarata të debatueshme, duke vënë në pikëpyetje të ardhmen e kontratës së futbollistit 23-vjeçar.
Më i drejtpërdrejtë në qëndrimin e tij ka qenë Karl-Heinz Rummenigge, ish-drejtori ekzekutiv dhe aktualisht anëtar i këshillit mbikëqyrës të klubit, i cili nuk i fshehu dyshimet për mundësinë që Musiala të rikthehet në nivelin e tij më të mirë. ‘Jamal ka një problem shëndetësor dhe këtë e dinë të gjithë. Po ashtu, dihet mirë se ai ka një kontratë që përfshin shuma shumë të konsiderueshme parash. Si klub, duhet të shqyrtojmë se si do ta përballojmë këtë situatë. Mendoj se kjo është një qasje e përgjegjshme dhe krejtësisht normale. Kemi dyshime se do ta ketë të vështirë të rikthehet në nivelin që kishte më parë. Duhet të bisedojmë me agjentin e tij dhe familjen. Duhet të marrim një vendim’-deklaroi ai, duke nxitur debat mbi vazhdimësinë e një prej yjeve më të mëdhenj të kampionëve të Gjermanisë.
Ndërsa Shefi Ekzekutiv i Bayernin, Jan-Christian Dreesen, u përpoq të ulte tensionet.
‘Të gjithë dëshirojmë që Jamal të rikthehet të jetë Musiala që njihnim më parë. Atij i duhet kohë për t’u rikthyer. E kemi thënë këtë disa herë dhe duhet t’ia japim këtë kohë. Më pas do të shohim se si do të jetë situata në fillim të vitit të ardhshëm’- tha ai të shtunën e kaluar, pas mbledhjes së përgjithshme të aksionerëve. Kështu, kreu i klubit këmbënguli se Bayern nuk synon të ushtrojë presion mbi futbollistin, ndonëse deklaratat e tij vijnë në një moment kur si Uli Hoeness, presidenti i nderit, ashtu edhe Rummenigge kanë shprehur publikisht rezervat e tyre.
Ndërkaq ka ardhur edhe reagimi i i FIFPro. Sindikata ndërkombëtare e futbollistëve shprehu indinjatën për qëndrimin e drejtuesve të klubit bavarez, duke i cilësuar ndërhyrjet e tyre si një strategji të koordinuar për të ushtruar presion ndaj Musialës dhe përfaqësuesve të tij përpara se të zhvillohen negociatat. ‘Një klub i kalibrit të Bayern Munich duhet të tregojë më shumë maturi në këtë drejtim. Ai ka detyrimin të mbrojë mirëqenien e Musialës-theksoi FIFPRO që rikujtoi gjithashtu se pasiguria rreth së ardhmes kontraktuale mund të ndikojë negativisht në shëndetin mendor të një futbollisti gjatë periudhës së rikuperimit dhe kërkoi që çdo shqetësim në lidhje me kontratën e tij të trajtohet në mënyrë private.
‘Kontratat janë për t’u respektuar’-përfundoi FIFPRO.
Top Channel