Presidentja e Republikës së Kosovës, Justina Shiroka-Pula, ka pritur në takim Avni Mustafajn dhe Anila Hykën, anëtarë të Bordit të organizatës GERMIN, me të cilët ka diskutuar për rolin e diasporës dhe mundësitë e përfshirjes së saj në zhvillimin ekonomik dhe shoqëror të Kosovës.

Sipas njoftimit të Presidencës, gjatë takimit është diskutuar rëndësia e forcimit të lidhjeve me diasporën, si dhe krijimi i mundësive konkrete për angazhimin e bashkatdhetarëve që jetojnë dhe veprojnë jashtë vendit, shkruan Telegrafi.


Presidentja Shiroka-Pula ka vlerësuar angazhimin e organizatës GERMIN në forcimin e këtyre lidhjeve, duke theksuar se profesionistët, sipërmarrësit dhe akademikët shqiptarë jashtë vendit përbëjnë një potencial të rëndësishëm për zhvillimin e Kosovës.

“Më tej, Presidentja Shiroka-Pula theksoi gatishmërinë për të mbështetur bashkëpunimin me GERMIN-in dhe organizatat e diasporës, me qëllim të krijimit të mundësive konkrete për angazhimin e tyre në zhvillimin e vendit”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

Nga ana tjetër, organizata GERMIN ka falënderuar presidenten Shiroka-Pula për pritjen, vlerësimin e punës së saj dhe gatishmërinë për bashkëpunim.

“Forcimi i lidhjeve me diasporën dhe krijimi i mundësive konkrete për përfshirjen e saj në zhvillimin e Kosovës mbeten në qendër të misionit tonë”, thuhet në reagimin e GERMIN-it.

Organizata ka ritheksuar përkushtimin e saj për të vazhduar punën në fuqizimin e rolit të diasporës dhe krijimin e urave të bashkëpunimit ndërmjet bashkatdhetarëve dhe institucioneve të Kosovës.

“Vazhdojmë të punojmë që potenciali i diasporës të shndërrohet në mundësi konkrete për Kosovën”, ka theksuar GERMIN-i.

Takimi është zhvilluar në kuadër të përpjekjeve për forcimin e bashkëpunimit institucional me organizatat e diasporës dhe përfshirjen më aktive të saj në proceset zhvillimore të vendit./Telegrafi/

Postimi i plotë: